Presidenti Ilir Meta ka reaguar pas propozimit të Opozitës së Bashkuar të depozituar një ditë më parë në Këshillin Politik për listat e hapura 100%. Meta thotë se opozita është e vendosur për të ndërtuar një konsensus në të kundërt të Rilindjes.
Ai thekson se çdo akt i njëanshëm që përmbys Marrëveshjen e 5 Qershorit do të ishte një atentat dhe provokim i patolerueshëm ndaj rendit kushtetues e demokratik dhe të ardhmes europiane të vendit. (Lexo këtu draftin e opozitës)
“Përshëndes zyrtarizimin e propozimeve të Opozitës së Bashkuar në Këshillin Politik dje.
Opozita është e vendosur për të ndërtuar konsensus në të kundërt të Rilindjes, që kërkon me insistim konfliktin, shtrembërimin e zgjedhjeve dhe asgjësimin e Këshillit Politik si instrument vendimarrës konsensual.
Drafti i paraqitur nga Opozita realizon hapjen e listave 100% dhe respektimin e plotë të barazisë gjinore, përkundrejt mashtrimit dhe mbylljes 100% të listave nga Rilindja.
Drafti i opozitës respekton konsensusin e arritur dhe Marrëveshjen e 5 Qershorit.
Drafti i Opozitës kërkon opinionin e ODIHR për çështjet që nuk ka dakordësi, si një palë e paanshme dhe si vëzhguesit zyrtarë të zgjedhjeve.
Opozita ka ndërmarrë çdo hap, që çon përpara procesin e integrimit europian të Shqipërisë ku reforma zgjedhore, zbatimi i saj dhe hetimi i krimit elektoral janë kushtet kyç që përcaktojnë hapjen e negociatave për anëtarësim.
Çdo akt i njëanshëm që përmbys Marrëveshjen e 5 Qershorit do të ishte një atentat dhe provokim i patolerueshëm dhe i paamnistueshëm ndaj rendit kushtetues e demokratik dhe së ardhmes europiane të vendit. Koha për reflektim”, shkruan Meta./mv. abcnews.al