Progres raporti i Parlamentit Europian për Shqipërinë vlerëson progresin e bërë në reforma. Për herë të parë ka vlerësim kritik ndaj funksionimit të gjyqësorit, dhe kërkohet hetim të kërcënimeve që shkojnë ndaj gazetarëve profesionistë dhe presioneve mbi ta.
Në draft raport thuhet se Parlamenti Europian:
Mirëpret angazhimin e jashtëzakonshëm të Shqipërisë për integrimin në BE, të bazuar në konsensusin mes të gjitha partive politike dhe mbështetjen dërrmuese të qytetarëve, si dhe vlerëson faktin që Shqipëria hapi të gjitha grupkapitujt e negociatave të anëtarësimit brenda vetëm 13 muajsh;
Mirëpret ambicien e Shqipërisë për të mbyllur negociatat e anëtarësimit deri në fund të vitit 2027 dhe përparimin e shpejtë të arritur vitet e fundit; thekson nevojën për të siguruar zbatim të plotë dhe të qëndrueshëm të legjislacionit;
Mirëpret vijimin e zbatimit të procesit të reformës në drejtësi, përfshirë procesin e rivlerësimit (vetting) të gjyqtarëve dhe prokurorëve, i cili ka kontribuar në rritjen e llogaridhënies dhe integritetit brenda sistemit gjyqësor; vëren, megjithatë, sfida të vazhdueshme që lidhen me eficiencën gjyqësore, stokun e çështjeve të prapambetura, konsistencën e praktikës gjyqësore dhe përpjekjet për ushtrim ndikimi të padrejtë;
Bën thirrje për forcimin e mëtejshëm të organeve të qeverisjes së sistemit gjyqësor, duke garantuar pavarësinë, transparencën dhe kapacitetin e tyre profesional, si dhe për investime të qëndrueshme në infrastrukturën e gjykatave dhe digjitalizimin;
Bën thirrje për përpjekje të mëtejshme për mbrojtjen e lirisë së shprehjes dhe pluralizmit mediatik, përfshirë rritjen e transparencës mbi konfliktet e mundshme të interesit të pronarëve të mediave, garantimin e mbrojtjes kundër presionit politik dhe ekonomik ndaj gazetarëve, si dhe hetimin efektiv të kërcënimeve dhe sulmeve ndaj profesionistëve të medias;


