Nga foltorja e Parlamentit ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu konfirmoi se tashmë qytetarët mbi 18 vjeç mund të vaksinohen me dozën përforcuese kundër koronavirusit. Kusht për këtë është që të kenë kaluar gjashtë muaj nga marrja e dozës së dytë.
Po ashtu, ministrja u shpreh se, duke marrë parasysh variantin e ri të koronavirusit, nga ana e autoriteteve është forcuar vigjilenca për këputjen e hallkave të zinxhirit të infektimit.
“94 për qind e pacientëve të shtruar në Infektiv janë të pavaksinuar. Vaksinimi ul me 84 për qind riskun e shtrimit në spital…Nga sot çdo qytetar plus 18 vjeç mund të bëjë dozën e tretë, gjashtë muaj nga doza e dytë.”
Nëse do të ketë një shtrëngim të masave ndërsa afrohen festat e fundvitit dhe në të njëjtën kohë edhe varianti i ri i koronavirusit i cili është konfirmuar sot edhe në Greqi, Manastirliu tha se kjo do të vendoset nga ekspertët.
“Ata që nuk vaksinohen, po dëmtojnë edhe qytetarët e tjerë duke u vënë në rrezik shëndetin. Sa më gjatë të refuzohet vaksinimi aq më shumë shanse i jepen virusit që të qarkullojë.” /abcnews.al/