DOSJA/ “Ta heqim qafe atë malokun”. Tentohet helmimi në burg i Luftar Reçit? Dëshmia e bujshme që mund t’i “hante kokën”

schedule14:26 - 23 Shkurt, 2022

schedule 14:26 - 23 Shkurt, 2022

SPAK është vënë në alarm pas dëshmisë së një gardiani të burgut të Drenovës se është kontaktuar nga gruype kriminale, të cilët kanë kërkuar eliminimin e Luftar Reçit, dëshmitarit kryesor për vrasjen e Vajdin Lamajt.

Sipas dokumentit të SPAK të siguruar nga abcnews.al, gardiani E.P është kontaktuar në telefon në fund të dhjetorit nga një personazh i njohur i krimit në Korçë duke i thënë se do të merrte një shumë prej 100 mijë eurosh nëse pranonte që t’i hidhte helm në ushqim Luftar Reçit.

Takimi me Reqin e Korçës ka ndodhur më datë 28 dhjetor 2021 sipas tij dhe më datë 29 ai ka shkuar në prokurori për të treguar mbi ngjarjen që ndodhi.

Gardiani thekson po ashtu se është takuar sërish më 17 janar me Reçin, por bashkë me të ishin edhe disa persona të tjerë, të cilët edhe e kanë kërcënuar për ta vrarë.

Qëllimi i tyre sipas policit ishte që ta detyronin Luftar Reçin që të ndryshonte dëshminë mbi përfshirjen e Emiljano Shullazit në vrasjen e Vajdin Lamajt. Në të kundërt, ata do ta helmonin.

Ndër të tjera, polici thotë në dëshmi:

Në datë 26 dhjetor, në orën 16:55 me ka telefonuar Reçi nga numri 06926277**, nëpërmjet Whatsapp në numrin tim të telefonit 06349960** duke më thënë se donte të më takonte. Unë i thash se isha në fshat dhe nuk takohesha dot.

E kemi lënë të takoheshim më datë 28 dhjetor. U takuam te vendi që quhet terminali i autobusave dhe taksive të Korçës. Reqi erdhi me një BMW ngjyrë bronzi dhe ishte shoqëruar me një vajzë, e cila nuk zbriti nga makina teksa flisja me të. Kur mu afrua po fliste me një person duke thënë “150 mijë euro, të fitojmë edhe ne ndonjë gjë. Personin e kam këtu. Do flas dhe do t’ju kthej përgjigje”.

Pasi e mbylli telefonin më tha: Si mund të flas me Luftarin në telefon ose më ler një takim? ..po ashtu gjatë bisedës Reqi më tha: Ta heqi qafe atë malokun…të japim parapagum 10 mijë euro ty dhe ilaçin dhe 90 mijë euro të tjera t’i japim kur të mbarosh punë. Unë i thash se do ta mendoja në mënyrë që të fitoja kohë të vija të ju”.

Po ashtu, në dëshminë e tij, polici tregon edhe se si e kërcënuan me vrasje më datë 17 janar në makinë, në të cilën sipas tij ndodhej edhe një person tullac, i cili tha se do ta vrisnin e do ta hidhnin në koshin e plehrave.

Ai tregon se ky person me dialekt nga Tirana i dha edhe një shishe farmacie me ilaç brenda duke I thënë: Hidhi 5 pika te ushqimi i Luftar Reçit në një vend ku nuk të kapin kamerat. Në të kundërt do të të vrasim!.

Ndër të tjera ai shprehet:

Më datë 17 janar 2022 jam takuar te Terminali me shtetasin Gentian Gsokova, i cili ka ardhur me një mjet tip Audi me targa AA98**N, ngjyrë kafe. Ishte i shoqëruar me disa persona. Në timon ishte Reqi dhe në vendin e parë të pasagjerit ishte ulur një person qeros, të cilit nuk ia pash fytyrën dhe në sediljen pas ishin dy çuna. Njëri ishte çuni i Reqit dhe tjetri nipi i tij, siç më është prezantuar. Sapo erdhën, hapën derën dhe më thanë: Futu!

Unë i thash Reqit që të flasim diku tjetër, por personi qeros i ulur në sediljen e para të makinës më tregoi një pistoletë dhe më tha: Futu në makinë! Ky kishte edhe një kapuç të zi. U tremba dhe hyra në makinë. Ky person më tha: Do t’i thuash atij që nuk e njoh Shullazin.

(…..)

Më dërguan deri të IEVP Drenovë dhe 150 metra pa arritur te porta ndaluan dhe ky personi në vend të parë zgjati dorën dhe kishte nje shishe farmacie me ngjyrë kafe dhe më tha: Ju merrni ushqimin e tij (Luftarit) dhe ja çoni. Merre këtë dhe hidhi 5 pika në pjatë nga ky ilaç në një vend ku nuk ka kamera. Nëse nuk e bën këtë të pret plumbi.

Lufta Reçi është dëshmitari që sipas prokurorisë zbardhi vrasjen e Vajdin Lamajt. Prokuroria ka përfunduar hetimin për të dhe e ka çuar dosjen në gjykatë.

Në përfundim të hetimeve janë marrë të pandehur dhe dërguar për gjykim Lulzim Berisha, Viktor Imeraj, Emiljano Shullazi, Plaurent Dervishaj Indrit Rusi, Indrit Taulla, Luftar Reçi të cilët janë të përfshirë për dy vrasjet e bujshme të 2005.

Ndaj tyre SPAK ka ngritur akuzat e Vrasjes me paramendim” kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Mbajtjes pa leje të armëve luftarake me pasoja të rënda”, “Grup i strukturuar kriminal”, si dhe të “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese”, kundër dy ose më shumë personave, të kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal.

DOSJA

Akuzat ndaj tyre janë ngritur pas dëshmisë së Luftar Reçit, i cili ka marrë statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë. Sipas tij, Shullazi ishte brenda një makine me ngjyrë të errët, bashkë me një vajzë kur mori bombën. Reçi tregon se Viktor Ymeri ishte mburrur në burg, se personin që i vuri bombën Vajdin Lamajt, e kishte gjetur ai nga qelia. Prokuroria e lidh Shullazin me ngjarjen referuar dëshmisë së Luftar Reçit si edhe të vëllait të Vajdin Lamajt, i cili ka dëshmuar se dyshon se pas vrasjes ishte pikërisht Shullazi dhe grupi i tij. Ky i fundit, dyshohet nga SPAK se ishte personi që qëlloi me armë edhe në tetor 2004 ndaj Vajdin Lamajt, ku ky i fundit mbeti i plagosur. Të akuzuarit, janë emra të njohur për drejtësinë për një seri krimesh të tjera, të burgosur, të dënuar apo të shpallur në kërkim. Lulzim Berisha është në arrati me masë sigurimi arrest në burg në mungesë dhe për të ka edhe një urdhër arrest ndërkombëtar. Ndërsa Plarent Dervishaj ndodhet i lirë në Dubai, pasi është refuzuar ekstradimi

Lexo edhe: DOSJA/ Zbërthehet i penduari: Si e gjeta bombën që vrau Vajdin Lamajn, roli i Lul Berishës, Viktor Ymerit dhe Shullazit 

Reçi deklaron po ashtu se gjatë bisedave në tavolinë, Indrit Taullai është krenuar me vrasjen e Vajdin Lamajt duke thënë se “pordhën e madhe e kishin bërë copë copë…“. Reçi gjithasht tregon se përmes një të njohuri i kishte siguruar lëndën plasëse grupit të Lul Berishës dhe një natë kishin shkuar sëbashku me ta në garazhin e shtëpisë së tij për të përgatitur tritolin që do të përdorej për një vrasje. Në dëshminë e tij, Reçi thotë se nuk e dinte për kë bëhej fjalë. Kur kishte pyetur se çfarë vrasje do të bëhej, Reçi tregon se grupi i Lul Berishën i ishin shprehur se bomba do të vendosej në një makinë tip “Volkswagen”, e cila do të shpërthehej në momentin që do të ishte pranë një makine tjetër.

Lexo edhe: DOSJA/ Dëshmitari që “fundosi” Lul Berishën: Si e vramë Klodian Saliun, Lenti qëlloi me skorpions, Indriti me pistoletë

Ndryshim plani

Por, ndërkohë që po përgatitej mina, Reçi tregon se Indrit Taullain e telefonoi dikush. Në moment, tregon ai, Taullai u kthye duke thënë se plani kishte ndryshuar dhe se për shpërthimin do të përdorej lëndë plasëse C4. “Pas 15-20 minutash, Indriti u kthye në garazh me një kuti ku shkruhej Crnegoru dhe e pash që ishte tritol C4“, shprehet Reçi. “Ti ke detyrë vetëm ta montosh në mënyrë që të jetë funksionale, gati për të shpërthyer“, tregon Reçi se i kanë thënë grupi i Lul Berishës.

Bomba u mor nga Emiljano Shullazi

Në dëshmi, Reçi tregon se minën me telekomandë që u përgatit në një garazh e mori në dorë Emiljano Shullazi, i cili ishte bashkë me një vajzë. Sipas tij, Shullazi ishte brenda një makine me ngjyrë të errët, bashkë me një vajzë kur mori bombën. Reçi tregon po ashtu edhe për një episod, sipas të cilit Viktor Ymeri ishte mburrur në burg se “grupi i Emiljano Shullazit hapeshin kot me makina dhe femra të bukura dhe se nuk ishin për këtë punë, por vetëm për të vendosur gjoba, pasi personin që i vuri bombën Vajdin Lamajt e kishte gjetur ai nga qelia“.

Përfshirja e Viktor Ymerit

Luftar Reçi tregon edhe mënyrën se si është përfshirë në këtë ngjarje Viktor Ymeri, ose Tori, siç e thërrisnin shkurt ata. “Në njëren prej bisedave gjatë takimeve tona, u tha se Viktor Ymeri (nga burgu) kishte gjetur personin që do ta vendoste bombën mu pas qafe, në dialekt dibran që të qeshja unë. Indriti tha se Tori ka gjetur njeriun e duhur…

Vrasje me klering

I penduari i drejtësisë shpjegon edhe momentin se si është vënë në kontakt me grupin e Lulzim Berishës. “Kishim një marrëveshje me Lulin, Lentin (Plaurent Dervishaj dhe Indritin. Unë shkoja çdo ditë në Durrës dhe i takoja ata. Marrëveshja ishte se unë do të ndihmoja në vrasjen e Klodian Saliut dhe ata do të vrisnin hasmin tim“, tregon ai siç shkruhet në dosjene SPAK të siguruar nga abcnews.al.

Indrit Taullau u arrestua dy ditë më parë në Prizren të Kosovës, për ngjarjen në fjalë. Po ashtu, për të njëjtën ngjarje u arrestua edhe Viktor Ymeri. Ndërkohë, është caktuar masa “arrest me burg” për Emiljano Shullazin, i cili ndodhet në ambientet e paraburgimit. Prokuroria e lidh Shullazin me ngjarjen referuar dëshmisë së Luftar Reçit si edhe të vëllait të Vajdin Lamajt, i cili ka dëshmuar se dyshon se pas vrasjes ishte pikërisht Shullazi dhe grupi i tij. Ky i fundit dyshohet nga SPAK se ishte personi që qëlloi me armë edhe në tetor 2004 ndaj Vajdin Lamajt ku ky i fundit mbeti i plagosur.

Akuzat e ngritura në përfundim të hetimeve nga SPAK

  1. Viktor Bajraktari (Imeraj), i akuzuar se ka kryer veprat penale të “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese”, kundër dy ose me shumë personave, të kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal,  “Falsifikimi i dokumenteve” në formën e përdorimit, parashikuar nga neni 186/1 i Kodit Penal si edhe të veprës penale të “Futja, mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 324/a/2 i Kodit Penal.
  2. Emiljano Shullazi, i akuzuar se ka kryer veprat penale të “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese”, kundër dy ose me shumë personave, të kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 79/dh, 28/4, 333/a/1, 334/2 të Kodit Penal.
  3. Indrit Taulla, i akuzuar se ka kryer veprat penale të “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese”, kundër dy ose me shumë personave, të kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 79/dh, 28/4, 333/a/2, 334/2 të Kodit Penal si dhe të “Vrasjes me paramendim”, “Vrasjes me dashje”, mbetur në tentativë, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuara nga nenet 78/2, 76-22, 278/1, 28/4 dhe 334/1/2 të Kodit Penal.
  4. Lulzim Berisha, i akuzuar se ka kryer veprat penale të “Vrasjes me paramendim”, “Vrasjes me dashje”, mbetur në tentativë, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuar nga nenet 78/2, 76/22, 278/1, 28/4 dhe 334/1/2 të Kodit Penal.
  5. Plaurent Dervishaj, i akuzuar se ka kryer veprat penale të “Vrasjes me paramendim”, “Vrasjes me dashje”, mbetur në tentativë, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuara nga nenet 78/2, 76-22, 278/1, 28/4 dhe 334/1/2 të Kodit Penal.
  6. Indrit Rusi, i akuzuar se ka kryer veprat penale të “Vrasjes me paramendim”, “Vrasjes me dashje”, mbetur në tentativë, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuara nga nenet 78/2, 76-22, 278/1, 28/4 dhe 334/1/2 të Kodit Penal.
  7. Luftar Reçi, i akuzuar se ka kryer veprën penale të “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese”, kundër dy ose me shumë personave, të kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 79/dh, 28/4, 333/a/2, 334/2 të Kodit Penal si dhe të “Vrasjes me paramendim”, “Vrasjes me dashje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuara nga nenet 78/2, 76-22, 278/1, 28/4 dhe 334/1/2 të Kodit Penal.

/abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!