DOSJA/ Si u zbërthye skema, biznesmeni nigerian hodhi në kosh paswordet, flasin bashkëpunëtorët

schedule13:58 - 24 Korrik, 2021

schedule 13:58 - 24 Korrik, 2021

Fatbardh Danja, një nga të arrestuarit në lidhje me skemën e mashtrimit të zbuluar në Tiranë pak ditë më parë i ka treguar hetuesve si është njohur me biznesmenin nigerian Emmanuel Emereibenu i njohur edhe me emrin Donaldi Fonkem.

Në dosjen e siguruar nga ABC thuhet se Danja ka treguar se është njohur me Fonkem përmes një personi tjetër me emrin Abaz, dhe më pas është punësuar prej tij si përkthyes, punë të cilën thotë se e ka pranuar prej nevojës së madhe ekonomike.

Lexo edhe: DOSJA/ Pjesë e skemës së mashtrimit, biznesmeni i gurëve të çmuar vodhi Kishën e Voskopojës në 2010

Ai ka deklaruar se ka punuar për rreth një vit në këtë detyrë dhe pagesat i ka marrë rregullisht, një pagë mujore prej 300 mijë lekësh të vjetra pa përfshirë siguracionet. Më pas biznesmeni nigerian e ka angazhuar edhe me pjesën administrative të bizneseve të tij duke e siguruar se ato ishin të ligjshme.

Ndërsa Xhentil Kupe i ka thënë hetuesve se e ka njohur biznesmenin nigerian përmes motrës së këtij të fundit Evelina, me të cilën ishte fqinj. Kupe është shprehur se pasi janë takuar disa herë, ai i ka kërkuar që të hapë një nipt në emrin tij, pasi ai vetë nuk mundej sepse nuk kishte leje qëndrimi në Shqipëri.

Lexo edhe: Zhvatën 4 mln euro nëpërmjet mashtrimit online, ABC zbardh dosjen, kompania në Durrës ngriti dyshime

Kupe është shprehur se pasi ka marrë garanci prej tij se nuk kishte probleme ligjore ka pranuar ta ndihmojë. Ai ka thënë se në llogarinë e hapur për biznesin e shtetasit nigerian ka ardhur një shumë parash nga Polonia me vlerë 300 mijë euro. Pasi e ka pyetur për këtë fakt, Donaldi i ka thënë se nuk duhet të shqetësohej pasi çdo veprim që kryhej përmes bankës ishte i ligjshëm.

Në dosje thuhet se me datë 18 shkurt Donald Fonkem ka dalë nga banesa dhe rrugës ka hedhur në kosh disa letra dhe karta sim të kompanive të ndryshme celulare. Këto karta janë marrë nga njësia e vëzhgimit ku janë gjetur disa pasworde të ndryshme dhe fatura depozite. m.v/abcnews.al