Dosja “Partizani”/ Gjikondi: Vendimi për Malltezin ishte flagrant, Berisha përdor “fjalor barbar” ndaj gjyqtarëve

schedule17:46 - 24 Nëntor, 2023

schedule 17:46 - 24 Nëntor, 2023

TIRANË- Juristja Brizida Gjikondi thotë se gjuha e Sali Berishës dhe sulmet e tij ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve janë të papranueshme.

Gjatë intervistës në “News Line” në ABC News, Gjikondi theksoi se klasa politike dhe askush tjetër, nuk mund të vazhdojnë të sulmojnë drejtësinë me gjuhë barbare, siç ka bërë prej ditësh ish-kryeministri Sali Berisha.

“E papranueshme kur sheh denigrimin që i bën ai [Sali Berisha] sistemit të drejtësisë, një ish-presidenti i Republikës e quajti SPAK-un organizatë kriminale. Sistemi i drejtësisë dhe shpura që duhet të mbrojë gjyqtarët  dhe prokurorët kanë heshtur. Irena Gjoka është gjyqtare me dinjitet. Nuk mund të vazhdojmë të dëgjojmë një fjalor aq barbar dhe një intimidim ndaj institucioneve të drejtësisë së shqiptarëve”-u shpreh Gjikondi.

Ajo komentoi edhe vendimin e Ilirjana Olldashit, e cila vendosi të lirojë dhëndrin e Berishës, Jamarbër Malltezin për dosjen hetimore për privatizimin e ish-kompleksit sportiv “Partizani”. Sipas Gjikondit, blerja e apartamentit nga Gjyqtarja tek kompania e Malltezit është një konflikt i hapur interesi.

“Vendimi që u mor nga GJKKO ndaj Malltezit, ishte flagrant.  Kemi një konflikt interesi të mëparshëm dhe të vazhdueshëm dhe nuk mund të mbulohet dielli me shoshë. Ai vendim ka sjell reagim publik”, tha juristja.

Juristja komentoi veprimet e fundit të opozitës, e cila ka propozuar krijimin e një federata opozitare, e cila në fakt u rrëzua ende pa nisur, pasi Berisha dhe Basha zgjodhën të injorojnë njëri tjetrin , duke lënë të kuptohet se nuk do ketë një tryezë të përbashkët mes tyre.

Këtë hap të ri të opozitës, por me përmbajte dhe ofertë të vjetër, Gjikondi e komenton si vijon:

“Mendoj se është çadra e imunitetit ndaj drejtësisë shqiptare. Po të mendosh që edhe Mediu, që e ka ngritur këtë iniciativë, është i pandehur i drejtësisë. Një miell i vjetër nuk mund të bëjë një bukë të re”, tha ajo./ n.m.abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!