TIRANË- Avokati i njohur Edmond Petraj, i ftuar në “Ora e Fundit” në ABC News u shpreh se pyetjet e shtruara nga opozita në interpelancë me kryeministrin Edi Rama për çështjen “Kurum” ishin krejtësisht të pavlera.
Ai theksoi se Rama shkoi sot në Parlament më tepër për të “lozur” me opozitën.
“Rama shkoi atje më tepër për të lozur me ata se sa për t’ju përgjigjur pyetjeve të pavlera, të cilat i bënin ata”, tha ai.
Ai gjithashtu u ndal në zhvillimet e fundit mbi dosjen hetimore të privatizimit të ish-kompleksit “Partizani”, dosje e cila krahas ish-kryeministrit Sali Berisha, ka marrë të pandehur dhëndrin e tij Jamarbër Malltezin, biznesmenin Fatmir Bektashi dhe Xhim Begejan.
Ky i fundit është një prej trashëgimtarëve ku janë ndërtuar kullat tek ish-kompleksi.
Sipas tij, Berisha tashmë është vënë me “shpatulla pas muri” pasi Prokuroria e Posaçme e ka marrë të pandehur duke e akuzuar për “korrupsion pasiv”, të kryer në bashkëpunim.
Ai shtoi se Berisha me këtë vepër rrezikon nga 4-12 vjet burg.
“Berisha është vënë tani me shpatulla pas murit pasi mbi të rëndon një akuzë. Ai rrezikon nga 4-12 vjet burg, Berisha do të dënohet. Dosja është qepur. Ai do të kalojë në arrest shtëpie të gjitha fazën e procesit. Gjykatësi paraprak ka në dorë gjithçka”, tha ai./abcnews.al