Dosja e drogës në Vlorë, nëna: Lironi djemtë se janë me kartelë! Familjarja: Ishin për sherebelë

schedule18:24 - 16 Dhjetor, 2020

schedule 18:24 - 16 Dhjetor, 2020

Familjarët e të arrestuarve për dosjen e drogës në Vlorë kanë qenë sot pas dyerve të gjykatës me shpresën se do të merrnin një lajm të mirë. Por gjyjkata vendosi që të ndryshonte masën e sigurisë vetëm për njërin prej tyre, pasi ishte i infektuar me koronavirus.

Mes familjarëve ishte nëna e tre djemve, të cilët sipas saj, kanë probleme të shëndetit mendor dhe kanë kartelë mjekësore, ndërsa gjykata e shkallës së parë në Vlorë i la në burg për dosjen e drogës. Me buzën që i dridhej, ajo pretendon se tre djemtë e saj Eduard Guhacaj, Idajet Guhacaj dhe Besnik Guhacaj janë të pafajshëm dhe se po fle lokaleve në Vlorë duke pritur që të dalin nga qelia.

Të gjithë me shëndetësore janë ata, por disa kurohen dhe disa jonë, u vjen rëndë t’i çojnë të gjithë, se jemi të gjithë si familje, nuk di kë të cilësoj më, se vetëm unë qëndroj, që nuk jam e gjakut, që jam nuse. Pretendimi është se më kanë dhunuar tërë jetën, po kaloj jetën me shpirt ndër dhëmbë, dhe po më shtypin me këmbë.

Lekë nuk kam, avokatja nuk do të më marrë lekë, humane. Ma bëri nga keqardhja. Sot kërkoj të më nxjerrin djemtë, se kam 3 muaj që kam ikur nga shtëpia dhe rri nëpër lokale, “u them do të më lini të rri këtu sonte?”. Për djemtë kam humbur jetën. Nxirrni të gjithë të tjerët dhe më merrni mua ti përfaqësoj unë, se ha bukë pa lekë” tha ajo.

Edhe nëna e Marjus Drizës dhe familjarë të tjerë të tij kundërshtojnë akuzat e ngritura. “Më thanë se djalin e duam për verifikim dhe ma morën. Djali ka punuar në sherebelë dhe nëpër toka, ata ma morën pa faj fare, më gënjyen. Djalin ma morën në Bishan te nëna ime. Për arsye koti, djali është Marijus Driza 29 vjeç” tha ajo.

Edhe një familjare e Drizës dhe Trokës tha se “Kam nipin Marjus Drizën punon në sherebelë, djali i xhaxhait Dashamir Troka punon në lopatë. Nuk janë përfshirë fare, i vë duart në zjarr. Kur na erdhën në orën 06:20 na i morën në shtëpi. Nuk kanë faj fare ata. U morën edhe telefonat, nuk kanë asgjë” tha ajo për mediat.

Gjykata e Shkallës së Parë në Vlorë la në fuqi masën e sigurisë arrest me burg për 27 nga 28 të arrestuarit në Vlorë nga operacioni anti-drogë i dy ditëve më parë. I vetmi që ka shpëtuar nga burgu është Ismet Hyseni, i cili sot nuk u paraqit në gjykatë për shkak se ishte me covid dhe për këtë arsye gjykata e ka lënë në arrest shtëpie. Pra, Hysenit i është ndryshuar masa e sigurisë nga arrest me burg në arrest shtëpie vetëm për shkak të koronavirusit.

Por ajo që tërhoqi më shumë vëmendjen në seancën e sotme gjyqësore ishte fakti që në sallë ishin 32 persona, të arrestuar, por edhe në masa të tjera sigurie, plus avokatët dhe efektivët e policisë. Pra grumbull, duke mos respektuar masën e distancimit social. Gjyqtarja nuk e mori parasysh kërkesën që masat të jepeshin në grupe më të vogla.

Në sallë, një prej avokatëve mbrojtës kërkoi për klientin e tij të merret parasysh shfaqja e simptomave të Covid-19. Kjo kërkesë nuk është marrë në konsideratë. Por më e keqja është fakti që gjykata vendosi që të vijonte seanca me të gjithë personat e arrestuar dhe të tjerët grumbull.

Mes personave të përfshirë janë edhe 6 efektivë policie. Gjithashtu në këtë dosje janë ngritur akuza edhe për inspektorë të pyjeve dhe kullotave në fshatrat Vranisht dhe Tërbaç, Himarë, por edhe kryetarëve të fshatrave Kuç.

Policia e shtetit deklaroi se gjatë periudhës hetimore gjashtëmujore janë asgjësuar një numër i konsiderueshëm bimësh narkotike canabis sativa, në territoret e Bashkive Selenicë dhe Himarë, janë sekuestruar 120.9 kg lëndë e dyshuar narkotike, janë sekuestruar 4 armë gjahu, dylbi, një pistoletë sportive, 39 telefona celular etj./ db/Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!