Dosja “Babalja” shkon për gjykim, Salianji merret i pandehur

schedule18:03 - 12 Prill, 2019

schedule 18:03 - 12 Prill, 2019

Gjykata e Tiranës kalon për gjykim dosjen “Babalja” me të pandehur ish-deputetin, Ervin Salianji, Fredi Alizoti, Albert Veliu dhe Jetmir Olldashi për akuzën e “kallezimit të rremë”. Ish-deputeti i PD-së jashtë gjykatës është shprehur se së shpejti do të ketë surpriza në lidhje me këtë dosje. Fredi Alizoti ka kërkuar gjykim të shkurtuar, ndërsa të pandehurit e tjerë pushimin e gjykimit.

Pas një seance maratonë, Gjykata e Tiranës ka vendosur që të pranojë kërkesën e organit të akuzës duke e dërguar për gjykim dosjen “Babalja”. Të pandehur në këtë proces do të jenë ish-deputeti demokrat, Ervin Salianji, Fredi Alizoti, Albert Veliu dhe Jetmir Olldashi për akuzën e “kallëzimit të rremë”. Ish-deputeti Salianji pasi ka dalë nga salla e gjyqit premtoi se do të ketë ‘surpriza’ të tjera për sa i përket çështjes së “Babales”.

Jashtë Gjykatës ku u zhvillua seanca paraprake ndaj tij për “kallëzim të rremë”, ish-deputeti tha se është një proces i montuar dhe se në seancë avokatët e ish-ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj ishin bashkë me prokurorin.

Gjatë zhvillimit të seancës Fredi Alizoti që dyshohet se është personi që ka imituar zërin e Agron Xhafajt në audiopërgjimin e publikuar, ka bërë kërkesën për gjykim të shkurtuar, ndërsa ish-deputeti demokrat dhe gazetari Jetmir Olldashi kanë kërkuar pushim të çështjes. Nga ana tjetër prokurorët kanë kërkuar që dosja të kalojë për gjykim, pasi në bazë të aktit të ekspertimit të kryer ka rezultuar se audio përgjimi i publikuar nga partia demokratike nuk është origjinal.

Në kërkesën për gjykim, Prokuroria ka paraqitur të gjitha bisedat telefonike gjithashtu edhe rezultatet e kampionit të zërit të Agron Xhafajt. Në audio-përgjimet e publikuara nga Alber Veliu, i cili është arratisur dhe i kërkon azil politik flitej se vëllai i ish-ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj merrej me trafikim të lëndëve narkotike nga Vlora në Itali. Agron Xhafaj ndodhet ne Itali dhe po hetohet për trafikim te lëndëve narkotike./abcnews.al