TIRANË- Gjykata e Posaçme ka ndryshuar masën e sigurisë nga “arrest me burg” me masën e sigurimit “Arrest në shtëpi” për Redi Mollën.
Molla dhe ish-drejtorët e tjerë të Bashkisë Tiranë, Mariglen Qato dhe Taulant Tusha u arrestuan me urdhër të SPAK në mars të vitit 2024 me urdhër të Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion, në kuadër të hetimeve për dosjen “5D”.
Nga hetimet e SPAK, Qato dhe Molla janë pronarë “de facto” të kompanisë “5D”, e cila ka rezultuar fituese në disa tendera pranë bashkisë.
Njoftimi i GJKKO:
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtare Iliriana Olldashi, sot më 10.10.2025, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 188 akti, datë 01.09.2025 regjistrimi, mbi ankimin e personit nën hetim R.M., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 531, datë 31.07.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me objekt: Zëvendësim mase sigurimi” dhe vendosi:
Ndryshimin e vendimit nr. 531, datë 31.07.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin e Krimin e Organizuar, si më poshtë:
Zëvendësimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg” të caktuar ndaj të pandehurit R.M., me vendimin nr. 28, datë 28.03.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin e Krimin e Organizuar, me masën e sigurimit “Arrest në shtëpi” të parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale, duke urdhëruar të pandehurin R.M., të mos largohet nga banesa e tij e ndodhur në adresën: ***.
Urdhërohet lirimi nga ambientet e paraburgimit i të pandehurit R.M., në rast se nuk mbahet për ndonjë shkak tjetër.
Ngarkohet Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për ekzekutimin e këtij vendimi dhe kontrollimin në bashkëpunim me policinë gjyqësore, të zbatimit të urdhërimit të dhënë të pandehurit, nga kjo gjykatë. U shpall sot në Tiranë, më datë 10.10.2025.

