Dosja “339”, Vangjush Dako do të dëshmojë sërish në prokurori

schedule11:52 - 2 Gusht, 2019

schedule 11:52 - 2 Gusht, 2019

Nuk ka qetësi për ish-kryebashkiakun e Durrësit, Vangjush Dako. Pas shpalljes familjarisht “Non grata” nga autoritetet amerikane, Prokuroria për Krime të Rënda ka vendosur ta marrë Dakon sërish në pyetje, për dosjen “339”.

“Telashet për ish-kryetarin e Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako nuk kanë të sosur, pasi në Shtator do të përballet sërish me organin e akuzës për dosjen e famshme “339””.

Thirrja e Dakos nga organi i akuzës vjen mënjëherë pasi Departamenti Amerikan i Shtetit e shpalli atë dhe familjen e tij “non grata”.  Vendimi nga autoritetet amerikane u mor pas informacioneve të sigurta se Dako ishte përfshirë në afera korruptive.

“Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion pritet të ngrihet në Shtator dhe mesa duket Vangjush Dako do të jetë i pari që do të përballet me SPAK, ku pritet të japë edhe njëherë sqarime për audipiopërgjimet e publikuara nga gazeta gjermane BILD, ku Dako dëgjohet duke folur me një nga anëtarët e grupit kriminal të Avdylajve”.

Dako u thirr nga Prokuroria për Krime të Rënda edhe në muajin Maj, ku ka dhënë sqarime për lidhjen e tij me grupin e Aldylajve të Shijakut. Gjithashtu edhe për fenomenin e shitblerjes së votave në zgjedhjet lokale të 2017. Dako nuk ka dhënë asnjë informacion që mund t’i vinte në ndihmë grupit hetimor, madje ka mohuar lidhjet e tij me grupin kriminal, duke thënë se i ka takuar ata si çdo zgjedhës tjetër.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë i ka zgjedhur 15 anëtarët e SPAK, 10 prej të cilëve e kanë kaluar shkallën e parë të Vettingut. Në bazë të rregullore së miratuar nga KLP Struktura e Posaçme Antikorrupsion mund të nisë nga puna edhe më 10 anëtarë e të plotësohet më vonë.

/ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!