“Dosja 339”, gjykata e Durrësit lë në burg 9 komisionerë të akuzuar për krim zgjedhor në 2017

schedule15:38 - 17 Gusht, 2020

schedule 15:38 - 17 Gusht, 2020

Nga Glidona Daci

Gjykata e Durrësit në një seancë maratonë ka rivlerësuar masat e sigurisë për 21 të arrestuarit të dyshuar për krim zgjedhor, si pjesë e dosjes 339.

Togat e zeza të qytetit bregdetar kanë lënë në fuqi vendimin e gjykatës së posaçme për komisionerët e arrestuar.

Burg për  9 prej tyre, “arrest në shtëpi” për 9 të tjerë dhe 3 nën masën “detyrim paraqitje”. Ndërkohë  Prokuroria e Durrësit ka kërkuar ndryshimin e masës për një prej komisionerëve të prangosur.

Prokurori Madrid Kullolli ka kërkuar që Armelin Zeza, i cili aktualisht është në “arrest shtëpie” t’i jepet masa e arrestit në burg. Por kjo kërkesë është rrëzuar nga gjykata.

Në bazë të hetimeve rezulton se Zeza është personi që në zgjedhjet parlamentare të 2017-ës ka votuar në mënyrë fiktive në emër të personave të tjerë të cilët ndodheshin jashtë të vendit.

Nga përgjimet e prokurorisë Armelin Zeza dëgjohet duke folur në telefon, me Astrit Avdylin i njohur me pseudonimin “Niçja”, të cilit i tregon se ka votuar 23 herë në emër të personave të tjerë.

Në dosje thuhet se Zeza e ka siguruar Niçen për fitoren dhe se gjithçka ka shkuar sipas planit pasi kutitë ishin mbyllur dhe dokumentat ishin firmosur.

Operacioni për për arrestimin e 21 komisionerëve  u bë disa javë më parë nga Prokuroria e Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Por kjo prokurori më pas shpalli moskopetëncën me argumentin se nuk ka grup kriminal, duke ia deleguar çështjen prokurorisë së Durrësit.

Dosja e famshme 339 është regjistruar në vitin 2016, me sinjalizimin e autoriteteve gjermane, për trafikun e drogës që po bëhej nga Durrësi. Por në rrjetën e përgjimeve ranë më pas edhe grupe të tjera kriminale që merreshin me shitblerje votash, korrupsion, trafik droge apo tjetërsim pronash. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!