Borussia Dortmund e thotë hapur që dëshiron ta mbajë në skuadër mbrojtësin e djathtë, Achraf Hakimi. Marokeni po luan rregullisht me verdhezinjtë, por nga ana tjetër Real Madrid po e vëzhgon me kujdes atë dhe në verë, sipas kontratës, është i detyruar të rikthehet në Spanjë.
Michael Zorc, drejtori sportiv i Borussia Dortmund, ka folur për “Bild” dhe tregon se shumë shpejt do të bisedojnë me klubin spanjoll për ta transferuar 21-vjeçarin përfundimisht në ekipin e tyre.
“Do të bisedojmë me Real Madrid në javët e ardhshme. Vendimi nuk varet nga ne. Zhvillimi i madh që ka pasur Achraf, sigurisht nuk ka kaluar pa u vënë re edhe në Spanjë. Ai ndihet mirë me ne dhe Real Madrid e di që duam ta mbajnë në skuadër”, është shprehur Zork.
Achraf Hakimi, në dy sezonet e fundit në Bundesliga ka luajtur 41 ndeshje, ndërkohë që në vetëm pesë prej tyre ka zbritur në fushë si zëvendësues. Mbrojtësi anësor ka shënuar edhe katër gola në kampionat, ndërkohë që fati i tij do të vendoset para mbylljes së këtij kampionati. /abcnews.al