“Dorian”, uragani godet Shtetet e Bashkuara

schedule22:24 - 5 Shtator, 2019

schedule 22:24 - 5 Shtator, 2019

Pasi la pas shkatërrim dhe viktima në ishujt Bahamas, uragani “Dorian” po rreh brigjet lindore amerikane. Zonat më të rrezikuara janë Karolina e Jugut dhe ajo Veriut, ndërkohë që gjatë së premtes dhe së shtunës do të preken edhe rajone të tjera më në veri të Shteteve të Bashkuara.

Uragani “Dorian” do të sjellë stuhi të rrezikshme për jetën e banorëve kur të depërtojë thellë në bregun lindor të Shteteve të Bashkuara, pasi la pas shkatërrim dhe të paktën 20 të vdekur në ishujt Bahamas.

Stuhia, që u ngjit nga kategoria e dytë në atë të tretë, aktualisht po rreh brigjet e Karolinës së Jugut dhe asaj të Veriut, ku disa dhjetëra mijëra banorë kanë mbetur pa energji elektrike. Ndërkohë, banorëve nga Xhorxhia deri në Virxhinia u është rekomanduar që të dëgjojnë këshillat e autoriteteve.

Meteorologët kanë deklaruar se uragani do të dobësohet në ditët e ardhshme, ndërkohë që aktualisht po shoqërohet nga erëra që fryjnë deri në 175 kilometra në orë.

Qendra Kombëtare për Uraganët në Shtetet e Bashkuara ka bërë me dije se pas zbarkimit në dy Karolinat, stuhia do të lëvizë drejt rajonit Nju Inglend ditën e premte dhe më pas do t’i afrohet rajonit Nova Skotia ditën e shtunë.

Më 1 shtator “Dorian” goditi ishujt Bahamas, me një shpejtësi dhe forcë historike. Ai ra në ishujt Abako dhe Grand Bahama në veri të arkipelagut për dy ditë rresht. Kryeministri Hubert Minis e cilësoi stuhinë ndër katastrofat më të rënda në historinë e vendit dhe paralajmëroi se numri i viktimave mund të rritet./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!