“Dorian” përplaset në Karolinën e Veriut

schedule23:20 - 6 Shtator, 2019

schedule 23:20 - 6 Shtator, 2019

Uragani “Dorian” është përplasur të premten në Karolinën e Veriut, duke goditur kompleksin e ishujve të këtij shteti. Autoritetet druhen se erërat e forta dhe përmbytjet mund të shkaktojnë viktima pasi në një prej ishujve 800 persona kanë mbetur pa u evakuuar. Bilanci zyrtari deri tani flet për 30 viktima.

Disa qindra njerëz mund të kenë mbetur të bllokuar në një ishull të Karolinës së Veriut, ku vërshimi i ujërave po rritet pas zbarkimit të uraganit “Dorian”. Paralajmërimi është bërë nga guvernatori i shtetit, Roj Kuper, i cili e ka vënë theksin tek rreziku nga forcimi i stuhive në ishullin Okrakok, ku 800 persona nuk janë evakuuar.

Uragani “Dorian” u përplas në Kepin Hateras, në 9 të mëngjesit, në 15 me orën tonë, me erërat që frynin deri në 150 kilometra në orë. Megjithatë, pak më vonë ai u zhvendos drejt veri-lindjes.

Stuhia gjithashtu u përplas në kompleksin e ishujve Autër Benks, duke shkatërruar resortet turistike dhe banesat që ndodhen përgjatë vijës bregdetare. I rënë në kategorinë 1, stuhia pritet të zbarkojë të shtunën në provincën kanadeze Nova Skotia, ndërkohë që stuhi me erëra të rrezikshme pritet ende të verifikohen në Virxhinia dhe shtete të tjera veri-lindore.

Ndërkohë, në ishujt Bahamas, autoritetet kanë dhënë alarmin se bilanci i viktimave mund të rezultojë i paimagjinueshëm. “Është diçka që duhet ta presim, kur skuadrat e shpëtimit flasin për qindra, në mos mijëra të humbur”, deklaroi ministri i Shëndetësisë, Duejn Sends. Aktualisht bilanci zyrtar flet për 30 viktima./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!