Telenovela e mesfushorit të Dinamo Zagreb, Dani Olmo, është drejt fundit. Spanjolli ishte në kërkim nga shumë klube europiane si Milan, Barcelona dhe Manchester City, por e ardhmja e tij me shumë mundësi do të jetë në Bundesligë.
Raportohet se RB Leipzig ka arritur marrëveshjen me klubin kroat për shumën e 16 milionë € plus bonuseve. Në kontratë përfshihen 2 milionë € për çdo kualifikim në Champions League gjatë kontratës së tij, 1 milionë € për çdo 15 ndeshje që Olmo do të zhvillojë me Leipzig si dhe 10% të shumës në transfertën e tij të ardhshme.
Në ditët e fundit në mediat italiane flitej shumë për një kalim të 21-vjeçarit tek Milan. Dyshja Boban-Maldini kishte arritur marrëveshjen me lojtarin, por jo me Dinamon. Bonuset që klubi gjerman i ka pranuar ishin shkaku se pse Milan nuk po binte dakord me drejtuesit kroatë. /abcnews.al