Dorëzohen te Partizani. Esat Mala, pasi u aktivizua në derbin Tirana B-Partizani B, tani mund të luajë edhe në përballjen e të premtes. Ditën e sotme mesfushori i është bashkuar ekipit të parë në stërvitje, duke qenë kështu një alternativë më shumë për trajnerin Adolfo Sormani.
Mala, që prej ndeshjes me Laçin në fazën e dytë u la jashtë ekipi. Vendimi u mor prej klubit, për shkak se mesfushori nuk kishte pranuar propozimin e Partizanit për të rinovuar kontratën. Në fund të kampionatit ai del lojtar i lirë dhe në klub vendosën të mos e grumbullonin me ekipin e parë dhe fillimisht punoi i diferencuar, për të kaluar më pas tek ekipi B.
ÇFARË KISHTE DEKLARUAR PRESIDENTI DEMI – Kreu i klubit të kuq, pas ndeshjes me Laçin, foli për mediat dhe pranoi se kishte vënë veton për lënien jashtë të Malës. Demi madje nuk u kursye, duke u treguar disi edhe i ashpër me një prej lojtarëve më të spikatur të Partizanit në dy sezonet e fundit.
“Pse, kishte ndonjë ndryshim Partizani pa Malën? Partizani i bën lojtarët, Partizani i vë përpara. Mala është shumë i vogël për Partizanin. Megjithatë nuk i di problemet e Malës. Çfarë sqarimi t’ju japim, s’doja unë që të luante! Ka sqarim më të mirë?!”, u shpreh Demi për mediat. /abcnews.al