Fatmir Xhafaj, ka dhënë dorëheqjen nga posti i ministrit të Punëve të Brendshme. Lajmin e ka konfirmuar kryeministri Edi Rama, i cili ka emëruar gjeneralin Sandër Lleshi në krye të ministrisë. Ky i fundit mbante postin e këshilltarit për sigurinë kombëtare.
“Pranova dorëheqjen e ministrit Xhafaj, të cilin e falenderoj për kontributin e çmuar. Gjeneral Sandër Lleshi do të sjellë një energji të re pozitive në krye të Punëve të Brendshme. Traseja është e shtruar. Tani duhet rritur shpejtësia dhe duhen arritur rezultate edhe më domethënëse”, shkruan Rama në Tëitter.
Pranova dorëheqjen e ministrit Xhafaj, të cilin e falenderoj për kontributin e çmuar.Gjeneral Sandër Lleshi do të sjellë një energji të re pozitive në krye të Punëve të Brendshme.Traseja është e shtruar.Tani duhet rritur shpejtësia dhe duhen arritur rezultate edhe më domethënëse. pic.twitter.com/cfB7ADwzgy
— Edi Rama (@ediramaal) October 27, 2018
Xhafaj ishte emëruar Ministër i Punëve të Brendshme më 24 Shtator 2017. Ai ka drejtuar dhe koordinuar të gjithë procesin e reformimit të sistemit të drejtësisë në Shqipëri. Përveç Ministrisë së Brendshme, Xhafaj ka drejtuar ministrinë e Rregullimit të Territorit dhe Turizmit në vitin 2002 dhe në periudhën 2004-2005, ka qenë Ministër i Drejtësisë.
Kohët e fundit, Xhafaj ka qenë në qendër të akuzave lidhur me çështjen “Babalja”. Sipas opozitës, audiopërgjimi fakton përfshirjen e vëllait të ministrit të Brendshëm, Agron Xhafaj, në trafikun e drogës. Më 6 Tetor hetimet për “Babalen”, morën një kthesë të papritur pasi prokuroria kërkoi arrestimin e Albert Veliut, të njohur si “Babalja”, personit që pretendoi të ketë bërë bisedën në fjalë me Agron Xhafajn, si dhe Fredi Alizotit. Ata dyshohet se kanë inskenuar audio-përgjimin e pretenduar mes Veliut dhe vëllait të ministrit të Brendshëm, pasi akt-ekspertiza britanike konstatoi se audio-përgjimi ishte i montuar.
/abcnews.al