Pas dorëheqjes nga posti i Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi për shkak të aktakuzave të Gjykatës Speciale të Hagës, ka reaguar kryeministri shqiptar Edi Rama.
Përmes një statusi në twitter Rama shkruan se procesi ndaj Thaçit dhe të tjerëve, është absurd por që do të vendosë përfundimisht, pastërtinë dhe drejtësinë e Luftës Çlirimtare të Kosovës.
Kryeministri shqiptar ka shprehur solidaritetin e tij dhe të shqiptarëve në betejën e radhës siç e quan ai për drejtësinë e pacenueshme të Luftës Çlirimtare.
“Hashim Thaçi ka gjjithë mbështetjen e solidaritetin e Shqipërisë në këtë betejë të radhës për Kosovën dhe për drejtësinë e pacënueshme të Luftës Çlirimtare! Procesi absurd ndaj tij do të vulosë përfundimisht pastërtinë e UÇK-së dhe pamundësinë për ta rishkruar historinë e saj. Flag of AlbaniaFlag of Kosovo”.
Hashim Thaçi njoftoi sot se Dhomat e Specializuara në Hagë, i kanë konfirmuar aktakuzën për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Luftën e Kosovës.
Ai tha se për shkak se nuk dëshiron të shkojë para Dhomave të Specializuara si President i Kosovës, ai jepte dorëheqjen nga posti.
n.d./abcnews.al