Dopingu, peshëngritja shqiptare në krizë të plotë

schedule15:50 - 24 Mars, 2018

schedule 15:50 - 24 Mars, 2018

Evangjeli Veli nuk është e para përfaqësuese e peshëngritjes shqiptare që del pozitive për doping. Skandalet e shumta rrezikojnë që ky sport të shuhet fare në vendin tonë.

Ishte një nga shpresat e vetme të mbetura. Evangjeli Veli fitoi edhe bursën olimpike si përfaqësuesja më e denjë e peshëngritjes shqiptare për ta marrë një gjë të tillë, veçse pak kaluar fare pak javë dhe situata u përmbys.

Në një kontroll të brendshëm, të kryer më në fund nga autoritetet shqiptare me nismë të Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve, 26-vjeçarja doli pozitive për përdorim dopingu.

Veli po përgatitej për të marrë pjesë në kampionatin europian të këtij viti, ndërsa për momentin është e pezulluar. Ky ishte rasti i dytë i rëndë në shtangën shqiptare muajt e fundit, pas asaj që i ndodhi Romela Begajt.

Begaj doli kampione e botës në stilin e shkëputjes dhe nënkampione në dygarësh, por pastaj u gjet pozitive për përdorim dopingu. Pasi u konfirmuan të dyja analizat, në provën A dhe B, shqiptares iu hoqën medaljet.

Veli ndërkaq e mori bursën olimpike për shkak të vendit të 8 që zuri në Kampionatin Botëror të vitit të kaluar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Shtangistët e tjerë si Briken Calja, Daniel Godelli apo Erkand Qerimaj nuk i plotësonin kushtet, ndonëse u renditën shumë më mirë sesa ajo.
Problemet janë gjithnjë me dopingun, ndërsa gjatë gjithë këtyre viteve, sportistët shqiptarë janë dënuar njëri pas tjetrit, me ndonjë përjashtim shumë të vogël.

Kjo situatë mund të bëjë që sporti i shtangës të shuhet krejtësisht në vendin tonë, ndërsa disa vite më parë ishte ndër më popullorët.
Skandali me Begajn bëri që Shqipëria të humbiste organizimin e Kampionatit Europian, që zhvillohet këtë vit nga data 26 Mars deri në 1 Prill.
Federata Europiane e Peshëngritjes vendosi që ky turne të mbahej në Bukuresht të Rumanisë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!