Detaje të reja janë publikuar nga përplasja me armë mes të fortëve të Elbasanit, ku i plagosur dhe më pas i arrestuar mbeti Nuredin Dumani, një emër ky i shumëkërkuar nga drejtësia shqiptare.
E ftuar në “ABC Live”, gazetarja Etleva Delia, ka treguar edhe pjesë nga kronologjia e ngjarjes së 29 Marsit.
Sipas Deliajt, Nuredin Dumani ishte nisur për në Papër për të eliminuar një person që njihet si një mik i afërt me Talo Çelën. Dumani thuhet se nuk e ka ditur që Talo Çela ishte në makinë me objektivin e tij. Në momentin që Dumani është afruar tek objektivi, në atë moment është hapur zjarr ndaj tij. Nga shkëmbimi i zjarrit, Nuredin Dumani mbeti i plagosur.
Pavarësisht plagës së rëndë që kishte në kurriz, Nuredin Dumani mundit të arratisej drejt Fierit, ku edhe kishte një apartament me qira. Aty u mjekuar nga dy mjekë dhe një infermeri, ndërsa vetëm pak më pas ngjarjes iu vunë prangat nga policia.
Etleva Delia, raporton se Nuredin Dumani në pamundësi për të vrarë Talo Çelën kishte si objektiv për të eliminuar të gjithë krahët e tij. Ai i ekzekutoi edhe vëllanë Bujar Çelën, ndërsa donte t’i ekzekutonte edhe mikun e Talo Çelas në tentativë ku edhe mbeti vetë i plagosur.
Historia e Nuredin Dumanit dhe Talo Çelës, që nga miq u shndërruan në armiq
Historia nis me vrasjen e vëllezërve Besmir dhe Viktor Haxhia në Durrës më 27 prill 2020 dhe si edhe Dorian Shkoza dhe Anxhelo Avdia në 2 mars 2020, ku Nuredin Dumani akuzohet së bashku me Talo Çelën. Megjithatë, hetuesit kanë dyshime se mes Dumanit dhe Çelës ka pasur mosmarrëveshje që pas eleminimit në Sinaballaj të Rrogozhinës të Klevis Kapllanajt.
3 ditë pas vrasjes së 33-vjeçarit, në automjetin e tij mëngjesin e 17 shtatorit u vra dhe Bujar Çela. Kapllanaj dhe Dumani, sipas prokurorisë, kanë qenë miq. Pra dyshohet që Talo Çela ka ekzekutuar Klevis Kapllanajn, shokun e Nuredin Dumanit, prandaj ky i fundit në shenjë hakmarrjeje i ka vrarë të vëllanë, Bujar Çelën.
/abcnews.al/

