Juventusi mbetet një nga klubet më të interesuara për Paul Pogba. Bardhezinjtë duan ta rikthejnë mesfushorin francez në Torino, aty ku shpërtheu si lojtar dhe kaloi katër sezone fantastike. 27-vjeçari ka të njëjtë dëshirë, ai shpreson që dy klubet të arrijnë një akord dhe të luajë sërish në Serie A.
Pogba nuk arriti kurrë të lidhet shpirtërisht me United dhe drejtuesit e klubit anglez e kanë pranuar shitjen e tij në fund të sezonit. Gjithsesi, ata duan të përfitojnë sa më shumë nga ky operacion. The Mirror raporton se “Djajtë e Kuq” kanë një propozim interesant për Juventusin. Ata janë gati ta lënë të lirë Pogba, por kërkojnë që homologët italianë të përfshijnë në negociata Matthijs De Ligt.
Mbrojtësi holandez nuk ka zhvilluar një sezon shumë pozitiv me “Zonjën e Vjetër”, por ai është vetëm 21 vjeç (i mbush në gusht) dhe po përshtatet e po rritet. Vështirë që Juventusi të pranojë këtë shkëmbim, teksa mund t’i ofrojë United disa lojtarë të tjerë për të ulur çmimin e Pogba. /abcnews.al