​Donfried: Kosova dhe Serbia duhet të marrin vendime të vështira

schedule22:11 - 26 Janar, 2023

schedule 22:11 - 26 Janar, 2023

Ndihmës Sekretarja amerikane e Shtetit për Çështjet e Evropës dhe Euroazisë, Karen Donfried, deklaroi se Kosova dhe Serbia duhet të marrin vendime të vështira në mënyrë që të ecin përpara në rrugën e integrimit euroatlantik.

Në një intervistë për Zëri i Amerikës, Donfried tha se Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian nuk mund të imponojnë zgjidhje por duan të jenë një forcë që sjell ndryshime të mira.

“Për vendet e Ballkanit Perëndimor tani ekziston mundësia për të ecur përpara në rrugën e integrimit euroatlantik. Kjo mundësi është aty për Serbinë dhe Kosovën. Serbia dhe Kosova janë vende sovrane. Shtetet e Bashkuara dhe BE-ja nuk mund të imponojnë vendime apo zgjidhje. Ne po përpiqemi të jemi një forcë që sjell ndryshime të mira. Besoj thellësisht se qytetarët e Kosovës dhe qytetarët e Serbisë e shohin të ardhmen e tyre si anëtarë të plotë të komunitetit të euroatlantik”, tha Donfried.

Ajo shtoi se Bashkimi Evropian prej vitesh ka ushqyer dhe po nxit një dialog ndërsa Shtetet e Bashkuara po e mbështesin këtë dialog pasi besojnë se është rruga që Kosova dhe Serbia të bëhen anëtare të plota të komunitetit euroatlantik. Aty foli edhe për vendimet e vështira.

“A ka vendime të vështira që duhet të marrin Kosova dhe Serbia? Absolutisht. A do të jemi aty për t’i mbështetur ato ndërsa marrin këto vendime të vështira? Patjetër”, tha ajo.

Ndihmës Sekretarja amerikane e Shtetit për Çështjet e Evropës dhe Euroazisë, shtoi se Kosova dhe Serbia duhet të jenë të gatshme të marirn këto vendime.

“Ato (Kosova dhe Serbia) duhet të duan atë të ardhme dhe të jenë të gatshme të marrin vendimet, që mund të duken të dhimbshme, nëse ajo është e ardhmja që duan. Po e përsëris, ne do të jemi përkrah tyre, por ne vetëm mund të ndihmojmë dhe të përpiqemi ta sigurojmë atë të ardhme. Kosova dhe Serbia janë ato që duhet të bëjnë punën e vështirë”, përfundoi Donfried.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!