Dom Gjergj Meta: Të mos e kthejmë Shqipërinë në një spital të madh, kufijtë po na penalizojnë

schedule09:59 - 21 Korrik, 2020

schedule 09:59 - 21 Korrik, 2020

Ipeshkëvi i Dioqezës së Rrëshenit Dom Gjergj Meta bën apel për respektim të masave ndaj koronavirusit, duke theksuar se duhet të heqim dorë nga normaliteti.

Dom Gjergj Meta thotë se kjo pandemi po tregon se kemi në dorë jetën e njëri-tjetrit prandaj duhen zbatuar këshillat e mjekëve që të mos e kthejmë Shqipërinë në një spital të madh Infektiv.

Duke e quajtur Shqipërinë një vend të vogël dhe të varfër, ai thekson se nuk mund të lejojmë që kjo pandemi të varfërojë më shumë, duke qëndruar të mbyllur, pasi rritja e rasteve po na penalizon.

“Te heqim dore nga normaliteti… Të dashur miq, Në Shqipëri e në Ballkan numrat e të prekurve me Covid-19 po rriten.

Ndjej për detyrë qytetare që t’ju ftoj të kujdesemi për veten dhe për të tjerët. Është koha e përkujdesjes e cila duhet të na zhvillojë përmasën e solidaritetit me njëri-tjetrin dhe ndaj të mirës së përbashkët.

Nuk vlen ajo shprehja mors tua vita mea (vdekja jote është jeta ime), pasi vdekja apo sëmundja e një njeriu është edhe vdekja apo sëmundja e të gjithëve. Jeta është një e mirë që na është dhënë. Kjo pandemi po na tregon se jeta jonë është në dorën e të tjerëve dhe jeta e të tjerëve në dorën tonë.

Mjekët po na thonë të kemi kujdes. T’u besojmë atyre e t’ua dëgjojmë e zbatojmë këshillën. Mos ta kthejmë Shqipërinë në një spital të madh infektiv, a larg o Zot në një morg.

Prandaj: distancim fizik, përdorim i maskave në ambjente të mbyllura; përgjegjësi ndaj simptomave.

Është një rast i volitshëm për t’u rritur në përgjegjshmëri e të tregojmë se sa e duam jetën dhe se sa e vlerësojmë njëri-tjetrin.

Jemi një vend i vogël dhe i varfër, me shumë probleme edhe pa pandeminë e tërmetin. Nuk mund të lejojmë që kjo pandemi të na varfërojë e izoloi më shumë. Na kanë mbyllur kufijtë, jemi të detyruar të rrimë në karantinë nëse kalojmë kufirin në ndonjë shtet. Rritja e rasteve po na penalizon.

Prandaj është detyrë e të gjithëve, të mëdhenj e të vegjël, që të heqim dorë nga normaliteti i jetës së deritanishme e të strukturojmë një normalitet të ri që ndoshta do të na kushtëzojë për shumë kohë.

Sa më parë të mësohemi aq më mirë është për ne të gjithë. Ditë të mirë”, shkruan Dom Gjergj Meta./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!