Ish-ministri i mjedisit Lefter Koka ka dhënë sqarime në prokurori për më shumë se dy orë në lidhje me dhënien me koncension të Inceneratorit të Fierit. Mësohet se Koka ka mohuar akuzat e prokurorisë, duke deklaruar se ka zbatuar vetëm ligjin.
Ish-ministri i mjedisit Lefter Koka ka dhënë deklarime këtë të premte në prokurorinë e posaçme për më shumë së dy orë, lidhur me hetimet që po zhvillohen për Inceneratorin e Fierit.
Koka mbërriti në ambientet e SPAK, në orën 10 të mëngjesit dhe ka dhënë sqarime përballë prokurorit Dritan Prençi, në prani të avokatëve të tij mbrojtës.
Burime nga organi i akuzës, bëjnë me dije se, Koka ka treguar se ka respektuar ligjin dhe nuk ka kryer asnjë shkelje gjatë dhënies me koncension për ndërtimin e Inceneratorit. Koka ka dhënë sqarime edhe për akuzën e shpërdorimit të detyrës, në lidhje me shpronësimin e sipërfaqes së tokës ku u ndërtuar inceneratori.
Ai ka treguar se nuk ka përgjegjësi për shpronësimin, pasi dokemuntacioni është përgatitur nga ekspertët e ministrisë së mjedisit. Nga ana tjetër prokuroria pretendon se, Koka ka përfituar përmes ryshfetit 1.2 milionë euro për ndërtimin e Inceneratorit të Fierit.
Koka akuzohet edhe për Inceneratorin të Elbasanit që sipas prokurorisë ka marrë ryshfet 3.7 mln euro për ndërtimin e tij. Një ditë më parë dha sqarime në prokurori ish-deputeti socialist Alqi Bllako, që gjithashtu ka mohuar të jetë i përfshirë në aferën korruptive. Bllako dyshohet se përmes ryshfetit ka favorizuar biznesmenin Klodian Zoto për ndërtimin e Inceneratorit duke marrë rreth 140 milionë lekë. /abcnews.al/