Doktoreshë Radiola Hoxha: Fëmijët e lindur me nëna që kanë kaluar Covid janë të shëndetshëm

schedule20:43 - 9 Dhjetor, 2020

schedule 20:43 - 9 Dhjetor, 2020

Nëse jeni duke pritur një fëmijë atëherë nuk duhet të shqetësoheni, pasi nuk rriskoni të keni simptoma të rënda nëse infektoheni nga COVID -19.

Dr. Radiola Hoxha, mjeke obstetër-gjinekologe në Spitalin “Hygeia” thekson se nënat që nuk kanë patologji të tjera shëndetësore, përfshihen në grupin e personave që e kanë simptoma të lehta nga koronavirusi.

Por pavarësisht kësaj doktoresha këshillon që gratë shtatzënë të bëjnë kujdes në ruajtjen e distancës  si dhe të ndjekin një dietë të pasur ushqimore.

“As gratë shtatzënë pa patologji shoqëruese as fëmijët e lindur nga to, nuk bëjnë pjesë në grupin me risk të lartë për t’u infektuar nga Covid apo për të kaluar me simptoma të rënda këtë sëmundje. Ato përfshihen në grupin e pacientëve me risk të moderuar. Megjithatë ne marrim të gjitha masat për t’u mbrojtur nga ky virus”, shprehet ajo.

Pavarësisht situatës doktoresha Radiola Hoxha në spitalin “Hygeia” thekson se gratë shtatzënë nuk duhet të neglizhojnë vizitat te mjekët përkatës.

“Pavarësisht kësaj situate, duhet që të mos neglizhojnë asnjë takim asnjë etapë të ndjekjes së shtatzënisë.  Janë pikërisht ato takime me mjekun që ndjek shtatzëninë që janë bazike për shëndetin e tyre. nëse një grua shtatzënë ka rritje tipike të shenjave të Covid, duhet patjetër të njoftojë mjekun që ndjek shtatzëninë e saj”, thotë ajo.

Deri më tani rezulton se efektet në fetus nga COVID janë minimale dhe fëmijët lindin të shëndetshëm.

“Fëmijët e lindur nga nëna që kanë kaluar Covid gjatë shtatzënisë janë njësoj  të shëndetshëm me fëmijët e lindur nga nëna që nuk e kanë kaluar atë infeksion”, sqaron mjekja.

Kohët e fundit  rastet e të personave të prekur me Covid -19 në vend po njohin një rritje rekord, midis tyre edhe  janë infektuar edhe shumë gra shtatzënë.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!