“Doka e rrezikon Hysajn, mungojnë liderët”, Duro e Bulku kundër Canajt

schedule08:52 - 20 Nëntor, 2020

schedule 08:52 - 20 Nëntor, 2020

Kombëtarja ishte në fokusin e specialistëve të futbollit në emisionin “Pressing” në ABC. Agim Canaj, Shpëtim Duro dhe Ervin Bulku, ky i fundit pjesë e stait të Edy Reja, replikuan mes tyre për dy çështje. Tekniku vlonjate deklaroi fillimisht se Shqipërin çalon shpesh për shkak se i mungojnë liderët.

“Kanë munguar liderët në skuadër dhe kjo ka sjellë që të vijnë gabime individuale, ose në momente të caktuara të lojës. Eksperienca na ka munguar dhe kthyem Memushajn. Ka pasur lëvizje të shumta, por kemi ceduar në stabilitet. Arritëm objektivin dhe kjo është pozitive”, tha Canaj mes të tjerash, ndërsa më pas e mori fjalën Bulku.

“Në këto kohë të vështira, me prurje të reja, normal ka momente që mungon ekuilibri. Të rinjtë nuk janë njëlloj si ata që kanë vite që luajnë. Është fakt që e kemi rinovuar kombëtaren dhe kemi sjellë 14 lojtarë të rinj. Kemi arritur objektivin, duke fituar dy ndeshjet e fundit që na duheshin.

Ka prurje e largime, si kudo. Trajneri i ka idetë e qarta, e njeh skuadrën. Boshtin e kemi të mirë dhe të shëndetshëm. Për çdo pozicion ftojmë dy lojtarë. Kemi provuar edhe lojtarë të rinj dhe kemi dominuar”, tha Bulku.

DOKA-HYSAJ
Canaj më pas vlerësoi maksimalisht paraqitjen e mbrojtësit Albi Doka, i cili sipas trajnerit është rritur shumë pas transferimit në Kroaci te HNK Gorica. Madje Canaj shton se ish-lojtari i Tiranës mund ta vërë në pozita të vështira Elseid Hysajn e Napolit.

“Doka meriton lëvdata. Te Tirana kishte probleme me krosin, me zhvendosjet. Kishte një ndryshim gati 50 për qind nga kur luante në Superiore. I ka vënë Hysajt një pengesë shumë të madhe”, tha Canaj, ndërkohë që pati një ndërhyrje edhe nga e Shpëtim Duros.

“Hysaj është i padiskutueshëm, ka personalitet. Ai luan edhe në të majtë. Shtylla e kombëtares janë lojtarë si Gjimshiti, Hysaj e Cikalleshi”, shtoi tekniku. Canaj replikoi sërish, duke u shprehur kështu: “Ne nuk është se i kemi marrë maksimumin Hysajt në kombëtare”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!