Dogjën të gjallë nënë e bir, prokuroria kërkon burg përjetë për Hysnie Hoxhallarin dhe Kasem Pirjasin

schedule19:06 - 21 Shtator, 2020

schedule 19:06 - 21 Shtator, 2020

Prokuroria kërkon burg përjetë për Hysnie Hoxhallarin dhe Kasem Pirjasin, të cilët dy vite më parë vranë Olsi dhe Selkie Hoxhallarin,vjehrra dhe burri i Hysnies.

Pas hetimeve që zgjatën plot dy vjet, prokuroria në mbyllje të hetimeve ka kërkuar burgim të përjetshëm për autorët e vrasjes makabre, ngjarje, kjo e ndodhur në datë 21 janar të vitit 2018.

Fillimisht hetimet pas ngjarjes dhe dhënies së masës së sigurisë i kaluan në atë kohë prokurorisë së Krimeve të Rënda, por më pas çështja u rikthye në prokurorinë e Vlorës dhe tashmë, kjo e fundit në përmbyllje të hetimeve ka kërkuar burgim të përjetshëm.

Një kërkesë që për një grua vjen pas shumë e shumë vitesh, për dhënien e dënimit me burgim të përjetshëm,ndërsa pritet tashmë vendim i gjykatës nëse do të pranojë kërkesën e prokurorisë apo të japë një dënim tjetër për të dy autorët e ngjarjes makabre.

Ngjarja e rëndë u regjistrua në datë 21 janar të vitit 2018, ndërsa nënë e bir, përkatësisht Selkie dhe Olsi Hoxhallari u gjetën të djegur në banesën e tyre në lagjen 24 maji të qytetit të Vlorës.

Ky i fundit kishte vetëm pak ditë pasi ishte kthyer nga Greqia, ku dhe punonte dhe shkonte herë pas here. Fillimisht ngjarja në atë kohë u raportua si aksidentale, pra djegie për shkak të pakujdesisë,por policia mblodhi prova të mjaftueshme, duke arritur ën përfundimin se viktimat ishin qëlluar dhe mbytur e më pas ishin djegur.

Versioni i parë i dhënë nga Hysnie Hoxhallari para policisë  ishte se i kishte lënë nën e bir të shikonin televizor në  një dhomë të veçuar që ata e përdornin për të qëndruar, madje ishte e para që njoftoi policinë.

Por një sms që kjo e fundit i dërgoi të dashurit të saj pak pas ngjarjes ,vuri në lëvizje policinë që vetëm pak ditë pas ngjarjes së rëndë arrestoi Hysnie Hoxhallarin dhe të dashurin e saj Kasem Pirjasin.

Këta të fundit kishin një lidhje mes tyre, ndërsa ditën e krimit, Pirjasi në atë kohë 26 vjeçar pasi goditi me mjete të forta sëpatë Olsi Hxhallarin  dhe  mbyti Selkie Hoxhallarin  në bashkëpunim me Hysnien i vunë zjarrin dhomës për të humbur gjurmët. Por ishte pikërisht sms dhe dyshimet e policisë që mbanin nën vëzhgim gruan 32 vjeçare, për të zbuluar provat e krimit dhe të vërtetën e ngjarjes duke arrestuar më pas dy autorët e krimit.

Pas ngjarjes rreth dy vjet më parë Hysnie Hoxhallari u shpreh se ishte  penduar, ndërsa Pirjasi u shpreh se e kreu aktin e rëndë sepse nuk takonte dot të dashurën e vet. Ngjarja në atë kohë ngjalli edhe reagimin e opinionit publik,ndërsa është tashmë prokuroria që pas mbylljes së hetimeve,rreth dy vjet pas krimit makabër ka kërkuar burg përjetë për dy autorët e kësaj ngjarjeje. /abcnews.al