Dodik: Beogradi të marrë komunat me shumicë serbe

schedule13:04 - 12 Gusht, 2018

schedule 13:04 - 12 Gusht, 2018

Lideri i serbëve të Bosnjes ka deklaruar se Beogradi duhet me doemos t’i marrë nën kontroll komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës. Duke folur për mediat serbe, Milorad Dodik ka paralajmëruar se nëse Kosova anëtarësohet në OKB, Republika Serbe e Bosnjes do kërkojë pavarësinë.

Kryetari i Republikës Serbe të Bosnjes, Milorad Dodik, ka deklaruar se është e nevojshme që katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës të përfshihen në integritetin territorial të Serbisë. Në një intervistë për gazetën serbe “Blic”, Dodik ka nënvizuar se pas përfshirjes së komunave, Beogradi duhet të arrijë një marrëveshje për mbrojtjen e pronave të kishës serbe në Kosovë, duke kërkuar një lloj ekstra-territorialiteti, sikurse bëhet për ambasadat. “Serbët duhet të kenë një plan që të përfshijë qëllimet afatshkurtra dhe afatgjata të popullit tonë. Në këtë kuadër, si fillim duhet të bëhet riintegrimi i katër komunave në veri të Kosovës”, ka thënë Dodik.

Lideri serb ka vlerësuar punën e bërë nga presidenti Aleksandar Vuçiç, që sipas tij ka rikthyer çështjen e Kosovës në fokusin ndërkombëtar pas një harrese të gjatë. “Aktualisht jemi në pozitën ku mund të bëjmë diçka, nisur nga ndryshimet e elitave politike në Europë dhe Shtetet e Bashkuara. Atje nuk janë më liderët e dikurshëm, nuk është më ekipi i Bill Clinton, për shembull”, ka shtuar Dodik. Sa i takon shanseve që në këmbim të komunave Kosova të sigurojë anëtarësimin në OKB, Dodik ka paralajmëruar se nëse një gjë e tillë ndodh, edhe Republika Serbe do të kërkojë të jetë një shtet i pavarur./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!