Dobia e inteligjencës artificiale/ Eksperti: Do kemi shumë lehtësira, por nuk duhet të keqpërdoret

schedule14:29 - 28 Dhjetor, 2023

schedule 14:29 - 28 Dhjetor, 2023

SHQIPËRI- Qytetarët nga janari do ta kenë më të lehtë kërkimin dhe marrjen e shërbimeve në e-Albania. Platforma digjitale e shërbimeve qeveritare do të ketë të inkorporuar asistent virtual përmes inteligjencës artificiale, e cila ka si fokus kryesor shërbimin sa më mirë të qytetarëve.

Eksperti i teknologjisë së informacionit, Erion Nako, i ftuar në “Money Report” tha se kjo është një risi shumë e mirë dhe duhet përshëndetur. Ai theksoi se përmes këtij shërbimi të ri, qytetarët do të marrin shërbim në një kohë të shpejtë dhe pa pengesa.

“Kjo është një risi shumë e mirë. Është një asistent virtual, i cili parashikon që në bazë të asaj që i shkruan, të përgjigjet në pak kohë. Asistenti virtual në bazë të të dhënave që i thua ti, arrin të të ndihmojë në një kohë të shkurtër. Është mirë që investojmë dhe të ngremë modele të tilla. Janë të nevojshme, të qenësishëm dhe janë pararojë pasi na ndihmojnë të zgjidhim punë sa më shpejt, por duhet të përmirësojmë pjesën rregullatore”, tha ai.

Eksperti shtoi se duhet  të punohet që kjo risi të futet në pjesën rregullatore me qëllim që njerëzit të mos e keqpërdorin këtë shërbim.

I pyetur se cilat janë sektorët që do përdorej me eficencë kjo risi teknologjike, Nako dha këtë përgjigje: “Duhet që njerëzit të mos e keqpërdorin dhe kjo është pjesa rregullatore dhe duhet futur në pjesën legjislative, e  cila e mirë administron. Kudo që kemi kërkesë për shërbimin e qytetarëve, do na ndihmonte në mjekësi, te kartelat, tek prokurimet publike për të parët përzgjedhjen dhe procesin e ndjekur”, tha ai.

Por, si çdo gjë tjetër eksperti theksoi se ky inovacion teknologjik, që lidhet me Inteligjencën Artificiale, do prodhojë efekte negative për qytetarët.

“Ka shumë rrezik në rast se nuk strukturohet mirë në pjesën rregullatore. Në edukim do kemi probleme, sepse një pjesë e njerëzve do t’i marrin gjërat të gatshme me besimin se e zgjidh roboti. Do ecim më pak dhe do marrim vendimet më të shpejta duke mos bërë kërkim shumë”, tha ai./ n.m.abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!