“Do të vras ty dhe fëmijët”! Tare flet për përplasjen në Bënçë: Më goditën pronarët e firmës

schedule13:21 - 18 Qershor, 2021

schedule 13:21 - 18 Qershor, 2021

Auron Tare, eksperti i trashëgimisë kulturore ditën e sotme u konfrontua fizikisht dhe u godit gjatë përplasjes së banorëve me pronarët e firmës që po ndërton rrugën nga Bënça në Kurvelesh.

Gazetari i ABC, Elidon Berberi, raportoi se Tare pas mjekimit në spital deponoi në komisariatin e Tepelenës denoncimin mbi personat që akuzon se e goditën, që sipas tij janë pronarë të firmës që po ndërton rrugën.

Lexo edhe: “Plumbin në gojë”! Përplasje mes banorëve të Bënçës dhe firmës për rrugën

Por përse ishte Tare aty dhe si ndodhi ngjarja? Në një prononcim për mediat ai deklaroi se u kërcënua dhe qëllua nga pronarët e firmës.

Isha në kuadër të mbrojtjes së zonave turistike. Me një punonjës të bashkisë shkuam në fshat, takova 15-20 banorë në mbledhje. Po bëja bisedë me ata, kur në këtë moment dalin tre pronarët e firmës “Erald shpk”, m’u drejtuan, cfarë do këtu? Kam ardhur t’i dëgjoj si është situata për këtë gurore, u thashë.

Më kërkuan të largohem, banorët më kërkuan të qëndroja, pati një fërkim të lehtë. Kur po hipja në makinë një nga këta zotërinjtë filloi të qëllonte banorët me grushte dhe shkelma, m’u drejtua edhe mua “do të vras tani, do të vras fëmijët”. Kur u futa në makinë më qëlloi nga xhami dy herë në fytyrë. Banorët patën një përplasje fizike me këta persona” deklaroi ai.

Gazetari i ABC, Elidon Berberi deklaroi se konflikti me firmën nisi pasi banorët akuzojnë se marrja e inerteve për rrugën po shkatërron ekosistemin e luginës dhe po dëmton mjedisin.

Sipas tyre, peticioni me firmat që i jepte “OK” nisjes së punimeve është i falsifikuar dhe se nuk është firmosur nga banorët e fshatit.

Për këtë arsye, banorët sot kanë dalë në rrugë duke kundërshtuar vijimin e punimeve që solli më pas agravimin e situatës dhe përplasjet. d.b/Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!