“Do të më pëlqente azili politik në Francë”

schedule23:22 - 16 September, 2019

schedule23:22 - 16 September, 2019

Ish-analisti i shërbimeve sekrete amerikane që denoncoi skandalin e përgjimeve, Edward Snowden ka deklaruar se do t’i pëlqente të merrte azil politik në Francë. Në një intervistë radiofonike, Snowden ka thënë se ofrimi i azilit nuk do të ishte një akt armiqësor ndaj Amerikës, ku ai akuzohet për spiunazh.

Ish-analisti i inteligjencës amerikane, Edward Snowden ka deklaruar se do t’i pëlqente shumë nëse presidenti Emmanuel Macron do t’i ofronte azil politik në Francë. Reagimi i tij erdhi pas deklaratës së ministres franceze të Drejtësisë, se po të varej nga ajo do t’ia kishte dhënë azilin.

Megjithatë, ministrja Nicole Belloubet zgjodhi të saktësonte se ky ishte një qëndrim i saj personal dhe se nuk po fliste në bazë të kompetencave zyrtare. Sidoqoftë, në një intervistë radiofonike ditën e hënë, Snowden shprehu dëshirën për një mundësi të tillë.

“Aplikova për azil në Francë në vitin 2013 gjatë presidencës së Francois Hollande dhe sigurisht do të më pëlqente shumë që tani, presidenti Macron ta konkretizojë ftesën”, tha Snowden.

Megjithatë, ai u shpreh i vetëdijshëm se ky vendim nuk varet vetëm nga Franca por gjithë Europa dhe sistemet e saj.

“Të mbrosh dikë si unë nuk është një akt armiqësor, nuk është as një sulm kundër Shteteve të Bashkuara”, tha Snowden.

Ish-analisti i NSA-së, që do të publikojë së shpejti librin e tij “Kujtime të përhershme”, jeton në Rusi që prej vitit 2013, kur publikoi dhe detajet sekrete të programit të përgjimeve të shërbimeve sekrete amerikane.

Shumë aktivistë për të drejtat civile e shohin atë si një hero, por në atdhe autoritetet amerikane duan ta gjykojnë nën akuzën e spiunazhit./ABC News Albania 24/7