Mbrëmjen e djeshme policia ka shoqëruar 60 punonjës të një Call Centeri në Tiranë. Hetimi në lidhje me këtë aksion të bluve është regjistruar për mashtrime kompjuterike.
Ky është një rast i përsëritur i mashtrimit me anë të Call Center i zbuluar pak muaj më parë pas një aksioni të bujshëm në kryeqytet.
Rasti më i fundit i goditur nga policia është ai i Shkodrës, rreth një muaj më parë ku në pranga u vunë 8 persona që mashtronin qytetarët me anë një skeme që kryesohej nga një shtetas polak. Sipas bluve ky grup mashtronte qytetarë të vendeve të Bashkimit Europian duke iu telefonuar për t’i ftuar të investonin në gjoja bursa; kriptomonedha apo forex.
Gjithçka ishte organizuar nga një i ri me origjinë nga Polonia, i cili së bashku me bashkëjetuesen kishin siguruar kontaktet e qytetarëve të BE-së që do të telefonoheshin. Pasi u vendos në Shkodër, polaku punësoi disa të rinj duke filluar aktivitetin e tij një vit më parë.
Gjatë kësaj periudhe, puna vijoi normalisht ku kryesisht gjermanë dhe spanjollë telefonoheshin nga punonjësit e këtij Call Center-i. të cilët i prezantoheshin si përfaqësues të brokerave të ndryshëm me vendnodhje në BE dhe iu thuhej se nëse investonin sipas këshillave të tyre do të bëheshin të pasur.
Pasi bindeshin, të mashtruarit dërgonin paratë në llogaritë bankare ku i thonin punonjësit e Call Center-it në Shkodër. Pasi dërgonte paratë, “preja” mbahej në kontakt nga punonjësit duke i kërkuar të rrisnin investimin. Kjo gjë përsëritej vazhdimisht deri sa qytetari kuptonte se ishte mashtruar. Në këtë moment punonjësit e Call Center-it ndërprisnin çdo kontakt me të. /Abcnews.al