Për të folur më tepër rreth zhvillimeve të fundit në Kosovë ku presidenti Hashim Thaçi dhe kreu i PDK-së Kadri Veseli akuzohen për krime lufte nga Prokuroria e Hagës, i ftuar në Abc News mbrëmjen e së premtes ishte analisti Milaim Zeka.
Aktakuzat ndaj Thaçit dhe Veselit në një kohë kur ata ishin nisur për negociata në SHBA, Zeka i quajt një bombardim politik ndaj Kosovës.
Po ashtu, Zeka sqaroi se në aktakuza janë përfshirë edhe 9 emra të tjerë të profilit shumë të lartë në Kosovë ndërsa në total janë 80 personalitete të luftës dhe paqes.
“Ne këtë aktakuzë janë të përfshirë edhe 9 emra të profilit shumë të lartë të politikës të Kosovës, në total rreth 80 personalitet të luftës dhe të paqes. Një e papritur për të cilën kam paralajmëru publikisht para 5 vitesh kur publikova një listë…”
Po ashtu, Zeka paralajmëroi se do të ketë edhe një rigoditje ndaj Ramush Haradinjat, Fatmir Limajt, etj..
“Do të ketë një rigoditje edhe ndaj Hardainjat, Fatmir Limajt e të tjerëve,” u shpreh analisti.
Po ashtu, Zeka u shpreh se për fatin e tyre të keq, politikanët nuk i marrin parasysh ato që paralajmërojnë gazetarët.
Milaim Zeka: “Për fatin e keq, politikanët asnjëherë nuk i marrin seriozisht lajmet që të paktën 20 për qind e atyre që meritojnë të quhen gazetarë i publikojnë. U kam thënë që nuk është Dick Marty një personalit me të cilin mund të bëni shaka. Ai ishte nis të hartonte një raport për krimet e luftës dhe fillesa ishte në Tirane, gjoja erdhën në konkluzionin që ekzistonte një shtëpi e verdhe…përrallë e bukur për njerëzit anti-pavarësisë së Kosovës. E çuan në PE duke ditur që Amerika s’ka ndikim aty. Unë mendoj që Thaçi për ta ruajtur shtetin e Kosovës, bëri mire që e pranoi dhe Parlamenti që aprovoi Gjykatën Speciale.”
Sipas tij, formimi i Gjykatës Speciale e ka ruajtur shtetin e Kosovës.
I pyetur nëse mund të ketë elementë ku janë bazuar prokurorët për të bërë aktakuzat, Zeka u shpreh që asnjë prokuror nuk e ul reputacionin e tij për të ngritur “akuza koti”.
Zeka: “Duke e njohur mentalitetin ne SHBA, e dini që një prokuror amerikan apo skandinav, nuk e ul reputacionin e vet që të ngrejë një aktakuzë koti…gjykatësit janë pothuajse noterë të prokurorëve, me 99% do të konfirmohet aktakuza.. dhe tani se çfarë faktesh ka, unë mendoj që prokuroria mund të ketë deshmitarë, tek shqiptarët është e lehtë të gjesh dëshmitarë të rrejshëm që e bëjnë për inate politike.”
Sa i përket kthimit të Avdullah Hotit nga takimi i 27 qershorit, Zeka u shpreh se mendon se Hoti duhej të mos e kishte anuluar pjesëmarrjen e tij.
Po ashtu, Zeka u shpreh se, duke marrë parasysh deklaratat që bënë pak ditë më parë, presidenti rus Putin dhe ai serb Vuçiç ishin në dijeni për ngritjen e aktakuzave ndaj Thaçit.
Milaim Zeka: “Personalisht mendoj që duhej të shkonte, por duhej të paktën konsultuar me Grenell dhe Shtëpinë e Bardhë… Presidenti Vuçiç në takimin me Putin tha që do kemi lajme shume të rënda, por nuk ia ka treguar…Putin dhe Vuçiç e kanë dit për ngritjen e kësaj aktakuze.” /abcnews.al/