Që kur ja dëgjoi të qarën e parë, i pa lëkurën rozë dhe i ndjeu aromën e jetës që i shpërthente nga dejet e njoma, Kimete Jahjolli në heshtje, si çdo nënë, i pati bërë vetes një betim; ta mbronte dhe t’i ruante shpatullat të birit. Por, kur e solli në këtë botë kurrë nuk e kishte menduar se këtë gjë do e bënte duke qënë pas karrocës së tij.
Ajo është një nga ato nëna heroina që ka pranuar fatin e saj për të ecur para. Djali i saj nuk lindi me probleme tek këmbët dhe as i paralizuar, gjithçka thotë nëna ndodhi pas një operacioni. Ky ishte fati I dy prindërve të rinj dhe i një fëmije vetëm disa muajsh, një lajm që shembi botën e tyre.
Në mes të asgjëje, e paparashikueshme, Kimetes i duhet të mbledhë forcat dhe të ecë në botën e egër, bashkë me Elion që rritet dita ditës dhe e vetmja gjë që i bën përshtypje është forca e nënës që nuk e la në asnjë moment të dorëzohej.
I kanë kërkuar të mos e ndjekë djalin nga mbrapa se fundja ai nuk do ngrihet kurrë, nën dhëmbë I kanë thënë se po harxhon lekët duke e çuar në shkollë por me forcën e nënës ka mbyllur veshët e saj dhe ka buzëqeshur përballë Elios.
Ajo e shoqëron kudo, në lagje, në xhiro, në fizioterapi dhe në shkollë, ashtu siç e ka shoqëruar që kur ai ka qenë i vogël. Tashmë që që Elio ndjek universitetin, ajo e shoqëron pavarësisht motit dhe e pret para derës së klasës ku ai ka mësim. Një jetë me sakrificë, duke ndjekur ëndrrat e djalit dhe duke u bërë këmbët e tij…..