“Do bëhem ose polic ose kryeministër”, tek stani në Rrëzën e Çikës

schedule20:23 - 20 Korrik, 2019

schedule 20:23 - 20 Korrik, 2019

Për familjen e Tanush Bodoit, stani është kthyer në një mënyrë biznesi dhe jetese. Ekipi i Edicionit Veror kaloi disa momente në këtë stan, i cili është vendosur në Rrëzën e Çikës pas qafës së Llogarasë.

Tanush Bodoi, baba i katër fëmijëve, tregoi që sëbashku me familjen janë të punësuar familjarisht pas bagëtive. Ata jetojnë tek ura e Palasës, ku kanë edhe një stallë tjetër qendrore përveç stanit ku ishte edhe ABC News.

“Janë shumë. Janë dy tufa. Njëra është rreth 700 krerë, tjetra është rreth 800 krerë. Barinj nuk kam. Kam një ortak nga Berati, djalë 30 vjeç”, tha Tanushi.

Të kesh kaq shumë bagëti duhet të bësh kujdes nga hajdutët. Familja e Tanushit është kujdesur që të ketë shumë qen.

“Ka pasur raste që kanë hyrë qofshin edhe turistë pa kërkuar leje dhe qentë i kanë sulmuar. Plagë u kanë shkaktuar, jo serioze”, tha ai.

Të jetosh në një zonë malore ka probleme me valët e telefonit. Por fëmijët e Tanushit janë kujdesur që ato të mos mungojnë aty ku kanë stanin. Ata treguan një vend, të cilin e kishin shënjuar, nga ku mund të merrje akses në valët e telefonit. Po për energjinë elektrike si ia bëjnë?

“Kemi blerë panel diellor edhe kemi lidhur dritat e vogla për ndriçim. Për t’u larë shkojmë në shtëpi. Karikim telefonash, për të dëgjuar një muzikë apo çdo gjë tjetër”, tha Tanushi.

Neritani është djali i vogël i familjes. I pyetur nga Sibora se çfarë ka dëshirë të bëhet kur të rritet, i vogli tregoi synimet e tij.

“Do bëhem ose polic ose kryeministër. Më pëlqen Edi Rama”, tha ai.

Kjo ishte familja e Tanush Bodoit, e cila në Rrëzën e Çikës ka bërë një stan. Aty gjithsecili merret me diçka dhe këtë punë e kanë kthyer në një biznes dhe mënyrë jetese./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!