Pak minuta më parë është hedhur shorti i Champions League, ku tashmë jemi njohur me çiftet çerekfinaliste dhe me ato gjysmëfinaliste. Kështu supriza e këtij sezoni, Atalanta, ka një kundërshtar shumë të fortë për të kaluar. Shorti nuk ishte aspak bujar me bergamaskët. Të besuarit e Gasperinit do të ndeshen me kampionët e Ligue 1, PSG, dhe fituesi do të përballet në gjysmëfinale me fituesin e çifit Atletico Madrid-Leipzig.
Pas hedhjes së shortit ishte presidenti i Atalantës, Antonio Percassi, i cili thekson se kjo është ndeshja e jetës për ekipin e tij. ‘’Ka ende shumë kohë deri në duelin e gushtit, por ne duhet të shpresojmë vetëm për më të mirën. Sigurisht që do të jetë një ndeshje e vështirë, por do të fitojmë shumë eksperiencë. Situata që kaloi qyteti ynë disa muaj më parë është një motivim më shumë për në dhe do mundohemi që t’i rikthejmë buzëqeshjen njerëzve,’’ deklaron numri një i Atalantës.
‘’Shpresonim që shorti të mos na rezervonte një kundërshtar të fortë, por dhe ne kemi kartat tona për të luajtur. Tani na mbetet vetëm për të parë se çfarë do të ndodhë. Objektivi ynë sezonal ishte sigurimi i qëndrimit në Seria A dhe tashmë numërojmë nëntë fitore radhazi në kampionat”, mbyll Percassi. /abcnews.al