Mbrojtësi i Atalantës, Berat Djimsiti, është shndërruar në titullar absolut në formacionin e Gasperinit. Mbrojtësi kuqezi ka folur për mediet italiane sa i takon sezonit të Atalantës deri më tani, si dhe shpjegoi se çfarë i kërkoi trajneri Gasperini në minutat e fundit, ku doli si sulmues.
“Nuk jemi të kënaqur, mund të bëjmë më mirë. Jemi të zemëruar për pjesën e parë, nuk luajtëm mirë. Në pjesën e dytë nuk i shfrytëzuam rastet që krijuam, na mungoi pasi i fundit. E pranoj që bëmë edhe gabime individuale te golat e pësuar, gabime që rrallë i bëjmë.
Minutat e fundit? Bëra atë që më kërkoi trajneri dhe dola në sulm për të shfrytëzuar rastet, por nuk ia dolëm. Tani duhet të stërvitemi fort për ndeshjet e radhës. Fiorentina? Sigurisht që duam të hakmerremi për eliminimin nga Kupa. Nuk luajtëm mirë dhe duam të tregojmë se jemi një skuadër më e mirë se sa ajo që u pa në Firence”./abcnews.al