“Djemtë janë gati për Rennes”, Pioli “shpall” fituesit e Europa League: Ja kush mund ta fitojë kompeticionin

schedule19:36 - 14 Shkurt, 2024

schedule 19:36 - 14 Shkurt, 2024

“Djajtë” e Milan e kanë nisur në mënyrë më të mirë të mundshme vitin 2024, teksa në 8 përballjet e zhvilluara deri më tani kanë arritur të regjistrojnë vetëm 1 humbje, e cila erdhi në Kupën e Italisë, si dhe një brazim, ndaj “Kuqebluve” të Bologna, në “San Siro”, mbrëmjen e 27 janarit dhe tashmë janë gati të testojnë veten në Evropë.

Shtatë herë fituesit e UEFA Champions League do të sfidojnë mbrëmjen e së enjtes, francezët e Rennes, në përballjen e parë të raundit të 1/16-ve, të UEFA Europa League, kompeticion ky që nuk është fituar kurrë më parë nga “Djajtë” dhe duket se janë gati të japin maksimumin e tyre, për t’ia arritur qëllimit.

Siç e do zakoni, një ditë para sfidës u zhvillua edhe konferenca për shtyp, nga ku tekniku, Stefano Pioli theksoi se djemtë e tij janë përgatitur shumë mirë për sfidën ndaj francezëve, teksa nuk ngurroi të thoshte as emrat e tre skuadrave favorite, ndër të cilët nuk munguan as “Aspirinat” e Bayer Leverkusen, si dhe “Të Kuqtë” e Liverpool.

“Nuk ka skuadra të lehta në këtë nivel. Kemi patur shumë kohë për të studiuar Rennes. Janë një skuadër e talentuar, duhet të përballemi me ta me shumë vëmendje dhe kujdes. Europa League është një kompeticion shumë i rëndësishëm. Sigurisht që është poshtë Champions, por ka skuadra si Liverpool dhe Bayer Leverkusen.

Milani nuk e ka fituar kurrë Europa League, duam të jemi ambiciozë dhe ta fitojmë. Por, favoritët janë Liverpool, Leverkusen dhe Atalanta. Gjithsesi, për ne është shumë e rëndësishme ta kalojmë Rennes. Kam parë 8 ndeshje të tyre, ndihmësit e mi edhe më shumë. Jemi përgatitur shumë mirë”,- u shpreh “strategu” italian i pankinës. /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!