Kryeprokurori i Barit Roberto Rossi, në një intervistë të dhënë për “Studio Aperto” që do të transmetohet mbrëmjen e sotme në Italia Uno, flet ndër të tjera edhe për rrezikun që sipas tij po paraqet krimi i organizuar vendas dhe ai shqiptar.
Gjatë intervistës, kryeprokurori shprehet se krimi i organizuar shqiptar që vepron në Itali është i ngjashëm me “Ndrangheta-n”. Madje, shton ai, edhe më i rrezikshëm pasi përdor edhe dhunën “klasike të mafies por edhe operon në mënyrë shumë inteligjente.”
“Këtu ka një emergjencë kombëtare sepse krimi i organizuar shumë i ngjashëm me Ndrangheta-n, por është shumë herë më i rrezikshëm sepse nga njëra anë ka dhunën e mafies rurale dhe nga ana tjetër ka inteligjencën e mafies së biznesit.”
Rossi shpjegon edhe lidhjet e mafias së Foggia-s dhe lidhjet e tyre me shqiptarët.
“Kemi prova. Për drogën punojnë me shqiptarët dhe nëpërmjet tyre kanë marrëdhënie me Kolumbinë për të sjellë kokainën. Marrëdhënia është shumë e fortë me shqiptarët.”
Sipas tij, Foggia, e cilësuar edhe si “mafia e katërt” tashmë është e globalizuar dhe ka marrëdhënie shumë të fortë me krimin e organizuar shqiptar.
“Duke qenë mafia që ka investuar shumë, ajo ka ndërtuar marrëdhënie të forta ekonomike si në Italinë e Veriut, Ballkan dhe Kolumbi. Për këtë kemi ndërtuar një urë bashkëpunimi me prokurorin e anti-mafias shqiptare.”
Roberto Rossi tregon se drejtuesit e mafies italiane apo edhe asaj shqiptare janë duke i dërguar fëmijët e tyre në universitet më të shtrenjta të Milanos.
“Disa djem të bosëve të drogës kanë studiuar në Milano, në universitete prestigjioze. Më shumë se një sinjal i dëshirës për t’u ndarë nga familja, ata janë formuar në kontekste sociale ku qarkullojnë pasuri dhe të ardhura të shumta.”
Gratë e “bosëve” reagojnë
“Unë do të thosha se kundërshtarët e vërtetë të krimit të organizuar në Foggia janë gratë. Ato ishin ndër të parët që reaguan. Të vejat e viktimave luajnë një rol të rëndësishëm në ndërgjegjen sociale të zonës së Foggia-s, kështu që kamë parë se si gratë janë protagoniste. Sigurisht, ato janë ende të pakta, por ky fakt është domethënës.” /abcnews.al/