Djegia e Kuvendit gjatë protestave? Felaj: Justifikim i presidentit në momentet e fundit

schedule20:53 - 1 Tetor, 2019

schedule 20:53 - 1 Tetor, 2019

Mbrëmjen e sotme në studion e ABC News në Mbrëmje Ide me gazetaren Mirela Milori ka qenë e ftuar deputetja e partisë socialiste Ermonela Felaj. Deputetja Felaj dha një opinion në lidhje me procesin e shkarkimit të presidentit Meta dhe hapjen e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian.

Sipas Felajt po punohet për kompletimin e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë brenda vitit.

E pyetur në lidhje me veprimin e presidentit Meta për c’dekretimin zgjedhjeve të datës 30 qershor ku Meta tha se kishte informacione për djegien e kuvendit gjatë protestave të opozitës, Felaj tha se ky ishte një justifikim i presidentit i nxjerrë në momentet e fundit.

Mirela Milori: A besoni se 9 kushtet janë të plotësueshme nga ju pa opozitën?

Ermonela Felaj: Më lejoni së pari që partitë kryesore gjermane CDU/CSU vendosën ti thonë po hapjes së negociatave. Jam shpresëplotë që në datën 18 tetor ne do të kemi po këtë përgjigje pozitive e cila për Shqipërinë shënon një hap të mëtejshëm në procesin e anëtarësimit në BE. E gjithë kjo i detyrohet ecurisë që ne kemi patur në reformën në drejtësi dhe posaçërisht me procesin e vettingut. të ashtuquajturat kushtet që rreken të zbehin po-në e qartë të shtetit gjerman janë përpjekje të dobëta sepse bërja e gjykatës kushtetuese apo gjykatës së lartë janë detyrime që rrjedhin na vetë procesi i reformës në drejtësi.

Mirela Milori: Gjermanët kërkojnë funksionimin e gjykatës kushtetuese dhe gjykatës së lartë dhe pajisjen e tyre me numrin e duhur të gjyqtarëve dhe prokurorëve  dhe miratimin  e ligjit të ri zgjedhor dhe garantimin e një financimi transparent të partive dhe fushatave elektorale brenda pranverës së ardhshme, a janë të realizueshme këto 2 kushte?

Ermonela Felaj: të gjitha këto që ju përmendët nuk janë gjëra për të cilat nuk jemi duke punuar, pavarësisht se opozita në rrugë na ka bërë të humbim disa afate, ne jemi duke punuar qartësisht për secilin nga këto kushte, për përmbushjen e tyre. Ne duhet të besojmë që kjo do të ndodhë më shpejt se sa përpara pranverës. për sa i takon ligjit të ri zgjedhor ka qenë një përpjekje e mirë fakti që me ndërmjetësimin e OSBE u arrit më në fund që edhe opozita erdhi dhe u ul në atë tryezë pavarësisht sjelljes që rezervoi deri në fund të asaj mbledhje.

Mirela Milori: ndërkohë janë 7 kushte të tjera dhe do doja të ndalesha te kushti i 7-të ku thotë që vendimi i gjykatës kushtetuese për ligjshmërinë e  zgjedhjeve lokale të 30 qershorit, në rast se zgjedhjet duhet të përsëriten atëherë ato duhet të mbahen mbi bazën e ligjit të ri zgjedhor, mendoni se teston më në fund ligjshmërinë një kusht i tillë?

Ermonela Felaj: Kjo nuk më shqetëson fare se ndërkohë mund ta kishim gjykatën kushtetuese dhe zgjedhjet e 30 qershorit mund të ishin marrë në shqyrtim nga ajo, kushdo qoftë ajo gjykatë është e detyruar për shkak të ligjit vetë organik dhe vetë kushtetutës që të njohë vendimet të cilat ka dhënë më parë. gjykata kushtetuese është shprehur për një gjë të ngjashme, pra për dekretin e presidentit në rastin e zgjedhjeve të 2017 e ka konsideruar si një akt administrativ individual, ishte pikërisht ky vendim që u përdor edhe si bazë i justifikimit ligjor të vendimit që dha më pas kolegji Zgjedhor.

Mirela Milori: Çështja e Komisionit të Venecias, doja tju pyesja në lidhje me deklaratën e Z. Meta që ka patur të dhëna që në datën 7-8 do të digjej kuvendi, shmanga një “Rajshtag” tjetër, a keni patur ju të dhëna që vërtet kërcënohej Kuvendi i Shqipërisë për tu djegur?

Ermonela Felaj: Arsyeja e nxjerrë nga presidenti si një justifikim për veprimin e tij në rastin  e c’dekretimit të zgjedhjeve të datës 30 qershor më është dukur një justifikim i gjetur prej tij në momentin e fundit pasi kjo nuk ishte shqiptuar më parë. Ai e ndjen tashmë që e ka shkelur kushtetutën, pastaj se sa e rëndë është kjo shkelje, këtë vlerësim pritet ta bëj komisioni hetimor, por në përfundim do të shprehet gjykata kushtetuese./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!