Djarmati: Avdijaj është i Vllaznisë. Sindrit Guri? Boll me gënjeshtra

schedule10:15 - 7 Janar, 2021

schedule 10:15 - 7 Janar, 2021

Vllaznia luan nesër një ndeshje shumë të vështirë ndaj Teutës dhe para kësaj beteje në konferencë për shtyp krah trajnerit Brdariç foli edhe drejtori sportiv, Matko Djarmati. Kroati tregoi për merkaton e klubit shkodran dhe njoftoi lajmin e afrimit të Albion Avdijaj, i cili ndërpreu kontratën me Tiranën, pa lënë gjurmë me bardheblutë.

Djarmati preku edhe çështjen e pjesës tjetër të merkatos, ku kritikoi mediet për lajmet e rreme sipas tij të dhëna dhe përgënjeshtroi lajmin se Vllaznia është në tratativa me Sindrit Gurin. Ai gjithashtu u shpreh se Dunga pritet të vijë së shpejti nga Kenia, duke mohuar lajmin se sulmuesi ka kërkuar largimin.

“Avdijaj është lojtar i yni. Ka prishur kontratën me Tiranën dhe ka ardhur te ne si lojtar i lirë. Është njohje e vjetër e trajnerit. Kane bashkëpunuar bashkë në Gjermani dhe shpresoj ta harrojë sa më shpejt atë që kaloi te Tirana. Nuk dua që çdo ditë të shpjegoj lajmet e rreme të medieve.

Më telefononi sepse të gjithë e keni numrin tim. Shikoni edhe faqen e klubit. Më vjen shumë keq për njerëzit sepse janë lajme të pabazuara. Me disa lojtarë jo vetëm që nuk kemi folur, por nuk ishin në planet tona. Nuk e kuptoj dot sesi dalin këto informacione.

Sindrit Guri? Ai luan në Belgjikë dhe të vijë në Shqipëri të luajë në të tilla kushte? Nuk është e vërtetë dhe u kërkoj ndjesë njerëzve për të tilla njerëz. Ka shumë lajme që lexojmë dhe nuk janë të vërtetë, më telefononi dhe ua jap lajmin të saktë. Ka edhe medie kryesore, që marrin lajme nga faqe interneti. Dunga sot po aplikon për vizën shqiptare. Sot ka marrë pasaportën dhe po merr vizën. Në Kenia gjërat funksionojnë ndryshe.

Shpresoj që sa më shpejt ta kemi këtu. Është i lidhur nën kontratë me klubin, por është në shitje. Kush e dëshiron duhet të paguajë klauzolën e vendosur në kontratë. Ne mendojmë të plotësojmë çdo boshllëk që kanë lënë lojtarët e pakënaqur. Kemi liruar rrugën gjithkujt që nuk dëshironte të vazhdonte”, u shpreh Djarmati. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!