“Djaloshi me thinja ka ditëlindjen”, Rama: Ai di të na e tregojë vendin që zënë bijtë e shqipes në histori

schedule11:21 - 24 Gusht, 2020

schedule 11:21 - 24 Gusht, 2020

Prej kohësh kryeministri Edi Rama publikon në shenjë falënderimi dhe uron personazhe të ndryshme dhe të njohura të politikës, historisë etj.

Ditën e sotme ka zgjedhur politikanin dhe historianin Pëllumb Xhufi ta urojë në ditën e lindjes.

“PËLLUMB XHUFI, që sot mbush plot 69 vjet që nuk duken në portretin e tij prej djaloshi të thinjur, hyn padyshim ndër ata lëvrues të mirë të penës shqipe në lëmin e historisë, të cilët kanë vizatuar me përkushtim e kompetencë të spikatur rrugët e njohjes së të shkuarës së trazuar të këtij vendi”, shkruan Rama ndërsa thekson se historiani Xhufi është një pikë referimi për historigrafinë mes perëndimit dhe lindjes në të cilën është i përfshirë përkatësia e shumëfishtë e kombit shqiptar.

“Personaliteti i Pëllumb Xhufit, meriton respekt edhe për tiparin e konseguencës qytetare, të cilën as politika aktive ku ai u përfshi për disa vite me instinktin e patriotit dhe me edukatën e shërbëtorit publik, nuk e zhbëri dot. Duke i uruar ditëlindjen dhe duke uruar që të tjera pjesë t’i shtohen afreskut mjeshtëror që ai ka krijuar, uroj me këtë rast që më të rinjtë në moshë e në rrugën e ndërlikuar të Albanologjisë e të shkencave humane, të mësojnë sa më shumë e ta ndjekin shembullin e këtij djaloshi me thinja” shkruan Kryeministri.

Postimi i plotë: 

PËLLUMB XHUFI, që sot mbush plot 69 vjet që nuk duken në portretin e tij prej djaloshi të thinjur, hyn padyshim ndër ata lëvrues të mirë të penës shqipe në lëmin e historisë, të cilët kanë vizatuar me përkushtim e kompetencë të spikatur rrugët e njohjes së të shkuarës së trazuar të këtij vendi.

Ai është një pikë referimi për historiografinë e ngatërruar mes Perëndimit dhe Lindjes, kontekstualizimin në këto dy botë të gjenezës historike të veçantë dhe përkatësive të shumëfishta të kombit shqiptar. Njohës rigoroz i gjuhëve dhe paleografive të vjetra padyshim, por edhe njohës i ditur dhe vëzhgues i mprehtë i skutave të labirinthit të diplomacisë në gjatësinë e disa shekujve, Pëllumb Xhufi ka aftësinë e spikatur të të treguarit të së shkuarës me gjuhën e të tashmes, përmes një pedagogjie hulumtimi që u jep bashkëkohësve pika referimi për të kuptuar dinamikën e “lojës” diplomatike, sidomos në momentet kur e shkuara ngre krye si aktualitet i debatueshëm.

“Përkthyes” i palodhur i dilemave të Arbërit, Pëllumb Xhufi ka një aftësi mbresëlënëse për të interpretuar rebuset e historive të vogla të Ballkanit, të njerëzve, komuniteteve, ngjarjeve të kohëve shumë të shkuara, duke na e lehtësuar vështrimin përtej mjegullave ballkanike, të cilat vazhdojnë të ushqejnë gjithëfarë gjysëm të diturish e sharlatanësh të mexhelisit të zhurmshëm shqiptar. Ai di të na e tregojë me goxha saktësi vendin që zënë bijtë e shqipes në historinë e tyre, të historinë e rajonit a të botës me të cilën u përzien, ata më të moçmit e ata më të afërtit me ne në kohë. Dhe më e pakta që mund të thuhet është që kjo nuk është pak, sidomos po të mbash parasysh pazarin e gjullurdisshëm të historiografisë shqiptare të dekadave që pasuan periudhën e gjatë e të zymtë, të historisë së shkruar sipas qejfit nga fitimtarët e Luftës së Dytë Botërore. “Arbërit e Jonit”, “Shekulli i Voskopojës”, “Ikje nga Bizanti”, “Nga Paleologët te Muzakajt”, apo “Skënderbeu: Ideja dhe ndërtimi i Shtetit”, e të tjera akoma, përbëjnë një afresk të hatashëm në kapelën e tempullit të historiografisë shqipe.

E fundit po jo për nga rëndësia, personaliteti i Pëllumb Xhufit, meriton respekt edhe për tiparin e konseguencës qytetare, të cilën as politika aktive ku ai u përfshi për disa vite me instiktin e patriotit dhe me edukatën e shërbëtorit publik, nuk e zhbëri dot. Duke i uruar ditëlindjen dhe duke uruar që të tjera pjesë t’i shtohen afreskut mjeshtëror që ai ka krijuar, uroj me këtë rast që më të rinjtë në moshë e në rrugën e ndërlikuar të Albanologjisë e të shkencave humane, të mësojnë sa më shumë e ta ndjekin shembullin e këtij djaloshi me thinja.

 

#EDHE100?

PËLLUMB XHUFI, që mbush sot plot 69 vjet të padukshme në portretin e tij prej djaloshi të thinjur, hyn…

Posted by Edi Rama on Monday, August 24, 2020

/abcnews.al

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!