Skënder Demiraj avokati për të cilin Gjykata e Posaçme vendosi masën e sigurisë “arrest në shtëpi” është babai i Arbër Demiraj, një prej 4 të vrarëve në masakrën e Rrugës së Elbasanit të ndodhur më 4 nëntor 2014, nga Kostandin Xhuvani.
Asokohe avokati Demiraj bëri kallëzim penal ndaj punonjësve të policisë pasi i akuzoi ata se nuk i kishin dhënë ndihmë e parë mjekësore djalit të tij.
Sipas tij ndihma ndaj të birit është dhënë nga mjeku pas kalimit të 1 orë e 10 minuta, kur ai kishte vdekur.
LEXO EDHE: Skema e korrupsionit! I dha lekët gjyqtares për ta liruar nga qelia, vëllanë e nxori, por u fut vetë
Por emri i Demirajt është lakuar përsëri nga organet më të larta të drejtësisë, kësaj radhe për korrupsion.
Avokati akuzohet se i ka dhënë gjyqtares së komanduar në Gjykatën e Apelit në Korçë Mimoza Margjeka, një shumë prej 6 mijë eurosh si përfitim i paligjshëm.
Sipas njoftimit të SPAK, kjo shumë parash, është dhënë me qëllim ndryshimin e masës së sigurimit, nga “arrest në burg” në “garanci pasurore”, ndaj shtetasit Orion Bali, i arrestuar nga Prokuroria pranë Gjykatës së Pogradecit, për veprën penale “Ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve”.
Në shkëmbim të përfitimit të paligjshëm ka rezultuar se Gjykata e Apelit Korçë ka ndryshuar masën e sigurimit nga “arrest në burg” në “garanci pasurore”, për këtë shtetas. N.D./abcnews.al