“Djajtë” zgjedhin Amorim/ Portugezi është kandidati kryesor për Manchester United

schedule15:53 - 29 Tetor, 2024

schedule 15:53 - 29 Tetor, 2024

Pas shkarkimit të Erik Ten Hag, të Manchester United kanë nisur punën për të gjetur trajnerin e ri. Emrat që kanë qarkulluar janë të shumtë, por kjo listë zvogëlohet në vetëm dy kandidatë të kryesorë, si pasojë e kritereve të vendosur nga “Djajtë e Kuq”. Ai duhet të jetë I ri, fitues dhe të praktikojë një futboll të bukur. Në vija të trasha, Manchester United po kërkon një tip “Guardiola” për t’iu përgjigjur rivalëve të qytetit, Siti dhe të tjerëve në Premier League.

Këto kushte i plotësojnë me përpikmëri Xavi Hernandez dhe Ruben Amorim. Emri i ish trajnerit të Barcelonës ka kohë që afrohet me “Djajtë e Kuq”, por kuotat e tij duket se kanë rënë.
Kjo konfirmohet nga mediat angleze, që unanimisht votojnë Amorim, ashtu siç konfirmohet nga faqet e para të të gjitha të përditëshmeve britanike.

Duke qëndruar në raportimet e tyre, emisarët e Manchester United kanë kontaktuar me trajnerin portugez, që nuk mund të mos joshet nga mundësia për t’u ulur në pankinën e një prej skuadrave më të mëdha të botës. Por problem mbetet kontrata e tij me Sporting Lisbon, skuadër që e drejton prej tre katër sezonesh dhe me të cilën ka fituar katër trofe, përfshirë edhe dy tituj kampionë në Portugali.

Për momentin 39 vjeçari është i përzgjedhuri, por surprizat nuk mund të përjashtohen. Gjithsesi, Amorim, Ksavi apo cilido tjetër që do të ulet në pankinën e Manchester United ka detyrën e vështirë për të kthyer skuadrën në shinat e suksesit pas një nisje katastrofë të këtij sezoni./abcnews.al 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!