Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, në 111-vjetorin e krijimit të Policisë së Shtetit tha se procesi i vetëpastrimit në radhët e saj do vijojë pandërprerje. Ai theksoi se përgjatë 2024, synojnë ta kthejnë Policinë e Shtetit në institucionin më të besuar në vend.
Sipas Ballës, shumë shpejt do hartohet një ligj i ri për Policinë e Shtetit.
“Vetëpastrimi i policisë është dëshmi e pandërprerë e jona për të krijuar standarde dhe integritet. Jemi aktualisht, edhe në fakt, shkon më shumë se kudo tjetër këtu në Akademinë e Sigurisë, një thirrje për të rinjtë dhe të rejat për një proces rekrutimi për Policinë e Shtetit. Jam shumë i gëzuar nga numri i lartë i aplikimeve në raundin e fundit të pranimeve. Ka ardhur koha që të bëjmë gjithçka për ta dinamizuar, energjizuar dhe për të krijuar një sistem të ri karriere në Policinë e Shteti. Një sistem që do jetë i bazuar në vlerësimin e rezultatit të çdo punonjësi të policisë. Kjo do bëtë edhe me një ligj për Policinë e Shtetit, do ta kalojmë ne qeveri dhe më pas në Kuvendin e Shqipërisë. Na duhet të vijojmë reformat që të forcojmë aleancën në nivel më të lartë me qytetarët. Në Policinë e Shtetit do kemi modele të reja të Inteligjencës Artificiale. Le ta shndërrojmë vitin 2024, në një vit të arritjes së objektivit, atë të shndërrimit të Policës së Shtetit në institucionit numër një të qytetarëve për besueshmëri. Rezultatet e deritanishme janë premisë e mirë për të arritur këtë objektiv të përbashkët.”, tha Balla.