Ditë vendimtare për Ahmatajn, Refik Halili duhet të vendosë

schedule12:21 - 24 Nëntor, 2019

schedule 12:21 - 24 Nëntor, 2019

Julian Ahmataj, para ndeshjes me Skënderbeun, foli për “tullumbace” që krijohen para ndeshjeve të Tiranës. Humbja në Korçë ka krijuar një situatë të rëndë në kampin bardheblu, pasi presidentit Refik Halili do t’i duhet me shumë mundësi të gjejë një tjetër trajner.

Këtë herë “tullumbacen” e krijoi dhe e plasi vetë Ahmataj, i cili në deklaratën e dhënë pas ndeshjes në Supersport, tha se te Tirana mendojnë ta largojnë trajnerin pa shkuar akoma. Gjithashtu bëri me dije se kishte paraqitur dorëheqjen te drejtuesit, por e la të hapur mundësinë që të qëndronte në krye të bardhebluve.

Sigurisht, që ato fjalë që Ahmataj tha një ditë më parë do të kenë ndikim në ambientin e klubit kryeqytetas. Sigurisht edhe te lojtarët. Nuk u përmendën emra, nuk u tha se ka ndonjë klan që punon kundër tij, por shumë gjëra lihen të kuptohen.

Momentalisht topi është te presidenti Refik Halili. Ai duhet të vendosë se çfarë do të bëjë. Nëse Ahmataj qëndron, sigurisht që në analizë dhe në përgatitje do të ketë edhe ndonjë ngritje zëri. Ndryshimet në formacion, nëse do ketë, sigurisht do shoqërohen edhe me komente të ndryshme.

Gjithashtu, nëse deri të premten Ahmataj ishte ai që mbante përgjegjësitë për rezultatet, ketë herë topi do të kalojë edhe te futbollistët. Trajneri dhe stafi i tij nuk luajnë në fushë. Një takim Halili-Ahmataj do të përcaktoje shumë gjëra. Ndarja nuk mund të vijë pa i thënë gjërat në sy. Të gjithë presin qëndrimin zyrtar të Tiranës. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!