“Ditë pas dite gryka e “Tik Tok” do ngushtohet”, Rama me mësuesit: Brenda 15 ditësh duhet të jetë “black out”

schedule14:54 - 17 Mars, 2025

schedule 14:54 - 17 Mars, 2025

LUSHNJË- Kryeministri i vendit Edi Rama  gjatë një bashkëbisedimi me mësuesit në qytetin e Lushnjës u ndal tek mbyllja e Tik Tok.

Ai theksoi se mbyllja ka nisur dhe brenda 15 ditësh aksesi në platformë do jetë i pamundur.

Kryeministri pohoi se qeveria ka biseduar me përfaqësues të kompanisë, të cilët siç tha ai do vijnë me një plan konkret për të vendosur filtra, që nuk cenojnë fëmijët tanë.

“Ne jemi këtu për të mbrojtur njerëzit tanë, qytetarët dhe Republikën e Shqipërisë. Jemi këtu për të mbrojtur fëmijët nga kërcënimi i madh që vjen nga rrjetet sociale dhe posaçërisht tik tok. Ka qenë një vendimmarrje me 95%, ku prindër dhe mësues thoshin të mbyllet. Janë 65 mijë prindër e mësues janë pyetur dhe kanë thënë mbylle. Kemi marrë vendim për mbylljen dhe kemi hapur një dialog me kompaninë. Ne i kemi thënë se nuk do ta lejojmë Tik Tok të funksionojë dhe të hyjë në shtëpitë tona si skuth me gjithë ato lloj produktesh që janë pa filtër dhe shkojnë drejt tek fëmijët. Nuk kemi ndonjë gjë ideologjike me ju, por duam garanci. Kemi nxjerrë një sërë gjerash dhe ia kemi vënë në dispozicion kompanisë, ata kanë qenë bashkëpunues dhe na kanë thënë se do përgatiten dhe do vijnë me një plan për të vendosur disa mburoja”, theksoi Rama.

Ai theksoi se gryka e “Tik Tok” po ngushtohet dhe se qeveria i qëndron zotimeve të marra prej saj.

“Jemi në kontakt, punon një grup me ato. Kur të jenë gati do vini në Shqipëri dhe publikisht ti tregoni prindërve, mësuesve dhe familjeve se çfarë do ndodhur. Mbyllja teknikisht ka filluar, ditë pas dite gryka e Tik Tok do ngushtohet dhe në një periudhë prej 10-15 ditësh normalisht duhet të jetë black out. Ne i qëndrojmë plotësisht.”, u shpreh ai./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!