Dita vendimtare për Katalonjën

schedule18:22 - 20 Dhjetor, 2017

schedule 18:22 - 20 Dhjetor, 2017

Nesër do të mbahen zgjedhjet e parakohëshme në Katalonjë që u thirrën pasi Spanja mori kontrollin e plotë të rajonit autonom. Sondazhet parashikojnë se këto zgjedhje mund të fitohen nga partia e ish-zëvendëspresidentit të Katalonjës, Oriol Junkeras.

5.5 milionë qytetarë janë thirrur ditën e enjte në votime për të zgjedhur 135 deputetët e rinj të parlamentit rajonal të Barcelonës. Të dhënat janë bërë publike nga i dërguari i qeverisë spanjolle në Katalonjë, Enrik Mijo. Në këto zgjedhje marrin pjesë 38 lista.
Ndërkohë, i gjithë fronti separatist nuk arriti të përmbyllë bisedimet ndërpartiake me një marrëveshje për një listë të përbashkët. 2680 vendvotimet do të jenë të hapura nga ora 9 e mëngjesit deri në 20:00 të darkës.

Këto zgjedhje të parakohshme u thirrën nga kryeministri spanjoll Mariano Rahoi, pas shpalljes së republikës së pavarur të Katalonjës në 27 tetor. Shefi i qeverisë së Madridit gjithashtu shkarkoi Presidentin e rajonit autonom, Karles Puxhdemon dhe qeverinë e tij. Ndërsa parlamenti u shpërbë.
Tetëmbëdhjetë kandidatë separatistë, që marrin pjesë në zgjedhjet e 21 dhjetorit, akuzohen për ”rebelim” dhe “kryengritje” për realizimin e projektit politik të pavarësisë. Ndër to bën pjesë edhe Puxhdemon, i cili u detyrua të arratisej për në Belgjikë pas shpalljes së pavarësisë nga Spanja bashkë me 4 ministra të tij. Fillimisht kundër tij u lëshua një mandat europian arresti, i cili u tërhoq më pas nga drejtësia e Madridit.

Sipas sondazheve, ish-zëvendëspresidenti i Katalonjës, Oriol Junkeras, njëkohësisht dhe kryetar i partisë së Majtë Republikane të Katalonjës, mund të jetë fituesi i këtyre zgjedhjeve të parakohshme. Ai bashkë me 3 politikanë të tjerë separatistë ndodhen në burg në Madrid për shkak të organizimit të referendumit për pavarësi dhe për shpalljen e Katalonjës republikë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!