Dita ndërkombëtare e sportit, Meta: Ndryshon gjithë shoqërinë

schedule15:11 - 6 Prill, 2018

schedule 15:11 - 6 Prill, 2018

Sporti ndryshon jo vetëm jetën e çdo individi, por njëkohësisht mund të ndryshojë një shoqëri të tërë.Është ky mesazhi që përcolli Presidenti i Republikës, Ilir Meta, në ditën ndërkombëtare të sportit në një aktivitet me fëmijë e të rinj me aftësi të kufizuara.

Është veshur enkas për ditën ndërkombëtare të sportit për zhvillim e paqe. Në praninë e 200 fëmijëve e të rinjve me aftësi të kufizuara, përfaqësues të Trupit Diplomatik dhe organizatave ndërkombëtare, Presidenti i Republikës dha një mesazh për sportin.

“Sporti ndryshon jo vetëm jetën e çdo individi, por njëkohësisht jam i bindur që sporti mund të ndryshojë një shoqëri të tërë, ta bëjë më të bashkuar, më optimiste, më krenare për vlerat dhe për aftësitë e saj.”

Duke vënë në dukje vlerat e mëdha të sportit, edhe ato që kanë të bëjnë me shërbimin e tij ndaj mirëkuptimit, dialogut dhe paqes, Presidenti Meta solli një shembull.

“Përpara Olimpiadës së fundit në Korenë e Jugut, e gjithë bota ishte në një ankth të jashtëzakonshëm për ‘Luftën III Botërore’. Kur do të fillojë ajo. Dhe, përplasja e parë gjithmonë pritej midis Koresë së Veriut dhe Koresë së Jugut. Mjaftoi një olimpiadë, mjaftoi një akt simbolik përmes sportit dhe situata ndryshoi shumë shpejt, duke treguar që sporti mund të bëjë shërbime të tilla ndaj paqes, ndaj dialogut dhe njërëzimit, që politika mund ta ketë jashtëzakonisht të vështirë që t’i realizojë.”

Presidenti i Republikës shprehu mirënjohjen dhe vlerësoi punën e Special Olympics Albania dhe Drejtuesit Kombëtar të tyre, duke i siguruar se do ti mbështesë në çdo aktivitet./abcnews.al